Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët dyshohet se, veç e veç, morën fajde, që në total arrin vlerën e 1.4 milionë eurove.
Autoritetet kanë kërkuar që të bëhet konfiskimi dhe kthimi i 21 banesave dhe lokaleve afariste, që u ishin dhënë të akuzuarve nga të dëmtuarit, pasi ata nuk mund t’ua kthenin borxhin.
Aktakuzë për fajde është ngritur ndaj L.M., B.K., L.A., Xh.K., D.G., dhe K.K., ndërkaq L.M., dhe Xh.K. po ashtu dyshohen për mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve, ndërkaq ndaj D.G. rëndon edhe akuza e detyrimit.
Prokuroria e Prizrenit ka dhënë detaje për secilin rast. Sipas aktakuzës, L.M., i ka dhënë borxh të dëmtuarit M.K. në vlerë prej 20 mijë eurosh me kamatë prej 10 për qind. I dëmtuari nuk ka mundur që t’ia kthejë paratë dhe është detyruar që t’ia japë një banesë prej 123.8 metra katrorë në vlerë prej 70 mijë eurosh. Më 2020, sipas aktakuzës, i pandehuri merr edhe 10 mijë euro të tjera me kamatë mujore prej 10 për qind, ku borxhi arrin në 14 mijë euro, informon Radio Evropa e Lirë.
“Për shkak të pamundësisë për kthimin e borxhit, i dëmtuari detyrohet t’i japë edhe një banesë tjetër në fshatin Shirokë me sipërfaqe 80 metra katrorë dhe vlerë tregu 52 mijë euro. Gjithsej, nga kamatat dhe borxhet e grumbulluara, i dëmtuari ka paguar rreth 92 mijë euro dëm përkatësisht humbje në shkallë të madhe”, u tha në njoftim.
Gjatë kontrolleve në shtëpinë e L.M. në Korishë të Prizrenit, autoritetet kanë gjetur 51 fishekë, që ai i mbante pa leje.
Rasti i dytë është ndaj B.K., i cili më 2021 i kishte dhënë fajde M.K. shumën prej 75 mijë eurosh me kamatë mujore prej 8 për qind. Kamata dhe borxhi janë rritur në mënyrë drastike, duke arritur shumën prej 240 mijë eurosh deri në maj 2023, tha Prokuroria Themelore në Prizren.
“Për shkak të pamundësisë së kthimit të këtyre parave, i dëmtuari detyrohet që t’ia japë të pandehurit banesën me sipërfaqe prej 300 metra katrorë dhe një lokal afarist prej 242 metrash katrorë, të cilat së bashku vlejnë 205 mijë e 700 euro. Kjo ka shkaktuar dëm të madh financiar për të dëmtuarit në shumën prej 280 mijë e 700 euro”, u tha në njoftim.
I akuzuari tjetër për fajde, L.A., nga prilli i vitit 2022 deri në nisje të hetimeve, thuhet se në Suharekë i ka dhënë borxh të dëmtuarit M.K. në vlerë prej 7 mijë eurosh me kamatë dhjetëditore prej 2 mijë eurosh, “duke e detyruar të dëmtuarin të paguajë shumën disa herë më të madhe se borxhi i vërtetë”.
Kur i dëmtuari nuk kishte para për të paguar borxhin, i pandehuri, sipas Prokurorisë i ka ofruar si “shpërblim” mallra të ndryshme, sikurse traktor, disa dema dhe krerë lopësh.
“Për më tepër, i pandehuri ka lidhur parakontratë për marrjen e një banese në sipërfaqe prej 100 metrash katrorë dhe një lokal me sipërfaqe prej 100 metrash katrorë në katin përdhes dhe një garazh me vlerë të përgjithshme prej 180 mijë eurosh, duke shkaktuar dëm të madh financiar të dëmtuarit L.K., dhe vëllait të tij M.K”, tha Prokuroria e Prizrenit.
Ndërkaq, sa i përket të akuzuarit të identifikuar me inicialet Xh.K., Prokuroria tha se që nga viti 2022 deri në fillim të hetimeve, në Suharekë ai, “duke përfituar nga gjendja e rënduar financiare” i kishte dhënë të dëmtuarit M.K. një borxh prej 10 mijë eurosh me kamatë mujore prej 30 për qind.
Autoritetet thanë se i dëmtuari për një vit ka paguar nga 3 mijë euro në muaj, duke i dhënë të akuzuarit 36 mijë euro në emër të kamatave, ndërkaq borxhi bazë i ka mbetur i papaguar. Në pamundësi për t’ia paguar borxhin, i dëmtuari i ka dhënë të akuzuarit Xh.K. krerë lopësh në vlerë prej 36 mijë eurosh, duke ia shlyer një borxh prej 37 mijë eurosh për një person tjetër “dhe në këmbim përpilojnë një parakontratë për shitblerjen e një lokali prej 100 metra katrorë me vlerë të deklaruar vetëm 20 mijë eurosh, në emër të bashkëshortes së vëllait të të dëmtuarit”.
“Gjatë një takimi më 23.08.2024, i pandehuri deklaron se obligimet e të dëmtuarit ndaj tij kishin arritur shumën prej 129 mijë eurosh, duke përfshirë edhe dy vetura në vlerë prej 21 mijë eurosh. Me këto veprime, të dëmtuarve M.K. dhe L.K., u është shkaktuar dëm në shkallë të madhe”, u tha në njoftim.