Lindita Rroshkodoli, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Në Shënjestër” thotë se djali i saj Elisi nuk ishte i përfshirë në aktivitete që kishin të bënte me lëndët narkotike.
Ajo vazhdon të besojë se vrasja e djalit të saj, ka lidhje me plagosjen që ai bëri në Belgjikë.
“Nuk kishte lidhje. Këta janë vrasës me pagesë. Këta të jugut vijnë në veri, këta të veriut vijnë në jug. Unë pyes shokët. Ore i njihni? Po jo moj më thonë. Në Durrës që u kapën dy vetë, ai Plaku, ata janë marrë me drogë, por jo Elisi, as nuk i njihte. Janë ngatërruar gjërat. Policia me dashje, pa dashje, i ka ngatërruar gjërat.
Ja pra për atë plagosjen në Belgjikë. Dhe ai tha nuk e fal. Po hajd shikojmë gjendjen financiare të familjes sime. Ku i çoi më thuaj, të lutem. Unë dhe në Francë ku ishte djali i çoja para. Biles edhe dëmshpërblimin e djalit të vogël, të gjitha atij ia ruajta. Unë vetëm dyert e shtëpisë kam vënë. E kam pas shtëpinë pa dyer, vetëm me perde. Punoja në Velipojë gjithë verën, vetëm t’i çoja para Elisit”, thotë Lindita, nëna e Elis Rroshkodolit”, thotë Lindita në intervistë.
Por nëna e Elis Rroshkodolit tashmë të ndjerë ka dyshimin se vrasësit e të birit janë ndihmuar edhe nga shokët e tij.
Të cilët sipas saj kanë shërbyer si informatorë për lëvizjet e të birit gjatë kohës së qëndrimit të tij në Shkodër.
“Në kohën kur ndodhi kjo, nëna e një shokut të djalit, kur erdhi për ngushëllim, mu ul pranë. Shok që ishte shok edhe me këta që dyshoj unë në Belgjikë. Dhe vinte gjithmonë dhe i thoshte Elisit se kur do ikim. Prit i thoshte Elisi se nuk kam bërë pasaportën. Ai iku. Por mbante lidhje me Elisin në telefon. Dhe ai ma ka nxjerrë djalin në shteg.
Të thashë, vjen e ëma për ngushëllim dhe nëpër dhëmbë dhe më thotë që mbrëmë në shtëpinë tonë është bërë nami. Dy makina të mëdha të policisë si atëherë me ato të Belgjikës.
Iki unë dhe një ditë e takoj në rrugë këtë zonjën. Dhe më ndalon. Kam qenë në Francë më thotë. Më kanë arrestuar djalin. Nuk e di më tha, Ma kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar”, thotë nëna e Elis Rroshkodolit.
Tashmë kur kanë kaluar më shumë se një vit nga vrasja e të birit, Lindita Rroshkodoli, pret ende drejtësi për humbjen e djalit të saj.
Të vetmet kujtime me të cilat ajo rron sot janë fotot e tij, të djalit të dytë dhe të bashkëshortit. Edhe këta të ndarë në mënyrë tragjike nga jeta.
Foto dhe kujtime të cilat ia kanë shtuar edhe më shumë brengën e vuajtjes. Sa e kanë detyruar sot të largohet nga banesa e saj në Shkodër. Dhe të jetojë e vetme në një shtëpi me qira në qytetin e Elbasanit, në këtë moshë jo të lehtë për të.
“Plagosjen e ka bërë për nder. Nuk duhet ta bënte. Pse po të merrej me drogë, nuk do sillte gjë në shtëpi. Unë jam nënë”, thotë ajo.
Në fund të intervistës, Lindita Rroshkodoli thotë se jeton me frikë për shkak të frikës së një hakmarrjeje.
“Unë jetoj në Elbasan. Kam marrë një shtëpi me qira. Kam frikë, me kë do jetoj. Mua më ha shtëpia. Më kujtohet dhoma e tyre. Është mbushur shtëpia me fotot e tyre. Unë jam e vdekur. E pa varrosur. Mua nuk më thonë kush ma vrau djalin”, thotë në fund nëna me lot në sy.