Prokuroria Fier ka dërguar në gjyq 7 persona lidhur me vrasjen e dyfishtë ku Gramoz dhe Lavdimir Kurtaj u ekzekutuan me breshëri plumbash në një lokal lokal, krim i ndodhur mesditën e 10 Shtatorit 2024, rreth orës 14:00 në fshatin Kurjan të Roskovecit.
Viktimat, Gramoz dhe Lavdimir Kurtaj
Organi i akuzës informon se nga hetimet ka rezultuar se Altin Kukaj 50 vjeç, Ervis Kukaj, 22 vjeç dhe Emauris Kukaj 19 vjeç (babai dhe 2 djemtë e tij) në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë kryer vrasjen Gramoz dhe Lavdimir Kurtaj.
Dinamika
Sipas Prokurorisë, pak para krimit Ervis Kukaj ka patur një konflikt fizik me djemtë e Gramoz Kurtaj, si dhe ka qëlluar me pistoletë kundrejt tyre dhe viktimës.
Pas komunikimit telefonik, dy të vëllezërit Ervis Kukaj dhe Emauris Kukaj janë takuar dhe ky i fundit i ka treguar ngjarjen.
Armën e zjarrit, automatik luftarak i modelit 56, me të cilën Altin Kukaj ka qëlluar viktimat, Ervis Kukaj e kishte lënë në kasollen përbri pularisë me qëllim për t’i marrë në vijim Emauris Kukaj.
Ky i fundit, pasi ka marrë armën e zjarrit, automatik luftarak, ka shkuar në vendin ku ndodheshin viktimat, ka frenuar menjëherë para lokalit të tyre, ka marrë armën dhe ka mbushur karikatorin e saj, duke nxitur babain e tij të qëllonte me breshëri drejt tyre.
Altin Kukaj ka shtënë ndaj viktimaveGramoz dhe Lavdimir Kurtaj me armën e zjarrit automatik luftarak, të cilën ia mori nga dora djalit të tij Emauris Kukaj.
Njoftimi i Prokurorisë Fier:
Vranë dy shtetas në Roskovec, Prokuroria Fier dërgon në gjyq 7 persona, 3 për ‘Vrasje në rrethana të tjera cilësuese’
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.1375 të vitit 2024, u provua se të pandehurit A.K., Er.K., Em.K., në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë kryer vrasjen e shtetasve G.K. e L.K.
Pak para se të ndodhte ngjarja, i pandehuri Er.K. ka patur një konflikt fizik me djemtë e viktimës G.K., si dhe ka qëlluar me pistoletë kundrejt tyre dhe viktimës G.K. Pas komunikimit telefonik dy të pandehurit Em.K. dhe Er.K. janë takuar dhe ky i fundit i ka treguar ngjarjen.
Armën e zjarrit, automatik luftarak i modelit 56, me të cilën i pandehuri A.K. ka qëlluar viktimat G.K. dhe L.K., i pandehuri Er.K. i ka lënë në kasollen përbri pularisë me qëllim për t’i marrë në vijim i pandehuri Em.K. Ky i fundit, pasi ka marrë armën e zjarrit, automatik luftarak, ka shkuar në vendin ku ndodheshin viktimat, ka frenuar menjëherë para lokalit të tyre, ka marrë armën dhe ka mbushur karikatorin e saj, duke nxitur të pandehurin A.K. të qëllojë me breshëri drejt tyre. I pandehuri A.K. ka shtënë ndaj viktimave G.K. dhe L.K. me armën e zjarrit automatik luftarak, të cilën ia mori nga dora të pandehurit Em.K.
Gjithashtu, për të njëjtën ngjarje, Prokuroria ka marrë të pandehur dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes në gjyq të të pandehurve: T.Z., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit” parashikuar nga neni 302/2 i K.Penal; Y.K..akuzuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga nenet 278, prg. 3 e 4, dhe 280, të Kodit Penal; R.H. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i K.Penal; dhe E.H. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i K.Penal.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.