Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, deklaroi se njohja e Shtetit të Palestinës nga gjashtë vende është “një hap i rëndësishëm dhe i nevojshëm në rrugën drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”. Abbas shprehu kënaqësinë e tij me njohjen zyrtare të Shtetit të pavarur dhe sovran të Palestinës nga Franca, Belgjika, Luksemburgu, Malta, Monako dhe Andorra.
“Këto njohje përbëjnë një hap të rëndësishëm dhe të nevojshëm drejt arritjes së një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, në përputhje me rezolutat ndërkombëtare të legjitimitetit. Kjo njohje e të drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje, liri dhe pavarësi do të hapë rrugën për zbatimin e një zgjidhjeje me dy shtete”, tha Abbas.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, përshëndeti vendimet e fundit nga një mori vendesh, përfshirë anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të njohur shtetin e Palestinës, duke e quajtur këtë hap si “mjaft të rëndësishëm” dhe “historike”. Duke folur në një konferencë të OKB-së mbi Palestinën, Erdoğan theksoi se kauza palestineze sot është bërë një çështje vërtet globale.
“Është e nevojshme tani të shpallet një armëpushim në Gaza, të sigurohet hyrja e papenguar e ndihmës humanitare dhe që Izraeli të tërheqë forcat e tij, përsëriti Erdoğan.Qeveria e Netanyahut, shtoi ai, megjithëse vjen nga një shoqëri dikur e viktimizuar nga Holokausti, tani kryen gjenocid kundër fqinjëve me të cilët ka ndarë tokë dhe ujë për mijëvjeçarë.
Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon deklaroi se imazhet e tmerrshme të fëmijëve që vdesin urie në Gaza janë rezultat i preferencave të qëllimshme. Ajo theksoi se një zgjidhje me dy shtete e dakorduar reciprokisht dhe e qëndrueshme është e vetmja rrugë e zbatueshme drejt paqes në rajon.
Franca, Belgjika, Luksemburgu, Malta, Monako dhe Andorra e njohën të hënën zyrtarisht Shtetin e Palestinës, duke iu bashkuar një liste në rritje të kombeve që kanë deklaruar njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës. Ndërsa të dielën tre shtete të G7-ës, Kanadaja, Australia dhe Britania e Madhe njohën Shtetin e Palestinës.
Gjashtë njohjet e fundit u bënë në Konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen palestineze dhe zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, të organizuar nga Kombet e Bashkuara nën udhëheqjen e Francës dhe Arabisë Saudite. /SHENJA/