Pak pas aksidentit me pasojë vdekjen në Durrës mëngjesin e sotëm, Policia Rrugore ka arrestuar në gjendje spitalore shoferin 19-vjeçar që mbeti i plagosur nga përplasja e mjeteve.
Teksa drejtonte makinën “Volkswagen”, adoleshenti me iniciale F. R., banues në Shijak, është përplasur me automjetin tip “Ford”, me drejtues 26-vjeçarin me iniciale G. K., banues në Sukth.
“Pas aksidentit rrugor te vendi i quajtur “4 rrugët e Shijakut”, informojmë se në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit F. R., 19 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi me automjetin që drejtonte, përplasi automjetin që drejtonte shtetasi G. K., 26 vjeç, banues në Sukth, i cili humbi jetën në vendngjarje”, tha policia vendore.
Si pasojë e aksidentit, 26-vjeçari ka humbur jetën në vendngjarje. Ndërsa 19-vjeçari është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, nën mbikëqyrjen e shërbimeve të Policisë dhe po vijohet me procedurat hetimore.