Një 25-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohet se ka kërcënuar një 23-vjeçare, për t’i dhënë para, nëpërmjet llogarive false që kishte hapur në rrjete sociale, me fotografitë e saj.
Uniformat blu bëjnë me dije se 23-vjeçarja kallëzoi në polici se 25-vjeçari, Brandi Kasmi, i kishte vjedhur kredencialet e llogarisë së saj në rrjete sociale dhe kishte hapur llogari të tjera false, me fotot/videot e saj, nga të cilat e kanoste për t’i dhënë para.
Për pasojë policia vendosi në pranga autorin e dyshuar, shtetasi B. K., 25 vjeç, banues në Burrel.
Në 2 celularët që iu sekuestruan të arrestuarit, u gjetën aktive llogaritë false në rrjete sociale.
NJOFTIMI
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “The ghost”.
Kanoste një 23-vjeçare, për t’i dhënë para, nëpërmjet llogarive false që kishte hapur në rrjete sociale, me fotografitë e saj, arrestohet 25-vjeçari.
Sekuestrohen 2 celularë me llogaritë false aktive në ta.
Menjëherë pas kallëzimit të një 23-vjeçareje, se një shtetas i kishte vjedhur kredencialet e llogarisë së saj në rrjete sociale dhe kishte hapur llogari të tjera false, me fotot/videot e saj, nga të cilat e kanoste për t’i dhënë para, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me specialistët e Forcës së Posaçme Operacionale, nisën punën për zbardhjen e autorësisë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “The ghost”, u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi B. K., 25 vjeç, banues në Burrel.
Në 2 celularët që iu sekuestruan të arrestuarit, u gjetën aktive llogaritë false në rrjete sociale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.