Përplasje mes bandave shqiptare dhe afrikane në Itali dhe të shtëna armësh që përfunduan me një shqiptar dhe dy tunizianë të plagosur. Në kërkim është shpallur edhe bashkëpunëtori tjetër, po shqiptar, ndërsa u ngritën disa akuza.
Policia ndaloi 28-vjeçarin shqiptar pas mjekimit dhe e dërguan në burgun e Raguzës. Ngjarja ndodhi në zonën e Scicli, ku hetuesit dyshojnë se veprojnë dy prej grupeve që luftojnë për kontrollin e territorit të aktiviteteve të paligjshme.
Karabinierët iu përgjigjën thirrjeve në “Via Aleardi”, pas një raportimi nga banorët që kishin parë burra të armatosur. Në vendngjarje, ata gjetën burrin me një plagë në kokë, një pistoletë të vjedhur, municione dhe një thikë pranë tij.
Hetimet zbuluan se pak më parë, në Largo Gramsci kishte shpërthyer një sherr midis dy shqiptarëve dhe dy tunizianëve. Gjatë sherrit, njëri prej shqiptarëve qëlloi me armë, duke plagosur lehtë dy afrikano-veriorët dhe më pas u largua me vrap, informon media italiane.
28-vjeçari i plagosur u arrestua për shkelje të rregulloreve të armëve dhe pranim të mallrave të vjedhura pasi u trajtua në spitalin Modica. Bashkëpunëtori i arratisur kërkohet për tentativë vrasjeje.