Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar lidhur me ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, të cilat janë aktualisht në proces konsultimi publik.
Në interes të pyetjes së Gazetës Panorama Online, BE nënvizon rëndësinë e këtyre ndryshimeve në kuadër të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por njëkohësisht ngre shqetësime serioze për disa dispozita që, sipas tyre, mund të cenojnë lirinë e medias dhe të shprehjes.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për disa amendamente të propozuara nga grupi i punës që mund të kenë ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias,” thuhet në deklaratë.
Po ashtu zyra e BE-së në Shqipëri konfirmon se është në dijeni të reagimeve kritike të ardhura nga shoqëria civile dhe sektori i drejtësisë dhe thekson se këto shqetësime duhet të adresohen si pjesë e procesit të anëtarësimit dhe përafrimit me kuadrin ligjor të BE-së.
“Ky rishikim më i gjerë i Kodit Penal është një ndërmarrje komplekse, me ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë penale. BE-ja thekson rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e sundimit të ligjit, si edhe me shoqërinë civile dhe të gjithë aktorët e tjerë përkatës, me qëllim që legjislacioni që do të rezultojë të jetë i cilësisë më të lartë”, thuhet nder te tjera ne reagim.
Reagimi i plote:
Në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria pritet të ndryshojë një sërë dispozitash specifike të Kodit Penal për t’i përafruar me standardet evropiane dhe acquis të BE-së.
Bashkimi Evropian ka inkurajuar Shqipërinë t’i japë përparësi atyre ndryshimeve ligjore të lidhura me Kodin Penal që janë të nevojshme për të përmbushur kriteret ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grupkapitullin 1(si dekriminalizimi i shpifjes dhe përafrimi me kuadrin ligjor të BE-së për trafikimin e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore, abuzimin ndaj fëmijëve, armët e zjarrit, pastrimin e parave).
Aktualisht, Bashkimi Evropian po konsultohet për këto ndryshime prioritare, të cilat lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e anëtarësimit në kuadër të negociatave.
Nga ana tjetër, ne jemi ende duke shqyrtuar dhe analizuar dispozitat e tjera që lidhen me një rishikim më të gjerë të Kodit Penal, i cili është publikuar së fundmi dhe është në proces konsultimi publik.
Ky rishikim më i gjerë i Kodit Penal është një ndërmarrje komplekse, me ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë penale. BE-ja thekson rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e sundimit të ligjit, si edhe me shoqërinë civile dhe të gjithë aktorët e tjerë përkatës, me qëllim që legjislacioni që do të rezultojë të jetë i cilësisë më të lartë.
Ne jemi në dijeni të shqetësimeve serioze të shprehura nga përfaqësues të sektorit të drejtësisë, si edhe nga shoqëria civile, në lidhje me një sërë projekt-ndryshimesh. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për disa amendamente të propozuara nga grupi i punës që mund të kenë ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. Këto dispozita nuk janë të përafruara me standardet e BE-së dhe ne jemi të bindur se, në kuadër të procesit të konsultimit dhe në kuadër të angazhimeve për anëtarësimin, këto shqetësime do të adresohen.