Një grua 62-vjeçare ka varrosur nënën e saj pranë banesës në mënyrë që të mund të vazhdonte të merrte pensionin e së ëmës.
Gruaja madje ishte kujdesur të “rekrutonte” një grua tjetër të moshuar për ta prezantuar si nënën e saj në mënyrë që të shmangte ngritjen e dyshimeve.
Herën e fundit që fqinjët e kishin parë gruan e moshuar ishte katër vjet më parë. Atëherë e kishin vënë re të dobësuar dhe me rroba të grisura, të braktisur në një çarçaf në dysheme.
Që atëherë, 62-vjeçarja kishte thënë se nëna e saj ishte në një azil pleqsh, por të gjithë në fshat e kishin kuptuar se çfarë po ndodhte.
Si u tradhtua?
62-vjeçarja u tradhtua nga gruaja që e kishte sjellë në shtëpi për t’u paraqitur në polici si nëna e saj.
Gruaja e moshuar, fqinje e 62-vjeçares, kur u pyet nga policia se si quhej, u ngatërrua dhe dha emrin e saj të vërtetë, duke zbuluar kështu mashtrimin.
Policia, e cila kontrolloi shtëpinë e gruas dhe aty pranë hapi një gropë të vogël, duke gjetur brenda trupin e pajetë të 91-vjeçares.
“Ose më ndihmoni, ose do të vras veten”
62-vjeçarja, sapo e kuptoi se laku përreth saj po “shtrëngohej”, kërkoi ndihmë nga një bashkëfshatar, të cilit i tha se një komision donte të ekzaminonte nënën e saj në mënyrë që të vazhdonte të merrte një ndihmë financiare prej 800 eurosh.
Kur e pyeti pse nuk po e dërgonte ekipin në banesën ku ndodhej nëna e saj, në Korinth, 62-vjeçarja tha se ndihma financiare do të pritej nëse do të vërtetohej se e moshuara nuk jetonte në shtëpi.
Gruaja më pas, për ta shantazhuar, i tha “ose më ndihmo ose do të bëj vetëvrasje”, duke i kërkuar të merrte me vete edhe tezen e tij të moshuar.
“Ajo më tha me lot në sy, ‘ose më ndihmo ose do të kryej vetëvrasje’, më tha, ‘Kanë ardhur nga departamenti dhe do të vijnë për vizitë për të parë se ku është mami.’ Dhe unë i thashë, u trego atyre se ku është mami yt që të shkojnë ta shohin. Dhe ajo u përgjigj, ‘Mami im është në Korint, por normalisht, sipas ligjit, duhej ta kisha në shtëpi për të marrë përfitimin. Nëse nuk e kam këtu dhe e kam në institucion, nuk kam të drejtë për përfitimin që kam marrë ilegalisht për kaq kohë’”, tha fqinji i 62-vjeçares për protothema.gr.
“Dhe ajo kërkoi që të merrte tezen time një ditë për t’i pritur në shtëpi. Dhe unë i thashë, ‘Tezja ime është atje, merre dhe bëj çfarë të duash, unë nuk të njoh, ti nuk më njeh mua’”, shton fqinji, i cili u thirr nga policia në shtëpinë e saj për të identifikuar tezen e tij.