Një 16-vjeçar shqiptar, Manuel Leti, nxënës i informatikës në Qendrën e Formimit Profesional Zanardelli në Darfo, ka humbur jetën tragjikisht pas një aksidenti rrugor.
Sipas mediave italiane, adoleshenti po udhëtonte me motorin e tij tip “KTM Duke 125” në rrugën “4 Nëntori”, kur në kryqëzimin me rrugën “Caduti della Resistenza”, u përplas me pjesën e përparme të një makine Audi, e drejtuar nga një 44-vjeçar.
Përplasja ishte e lehtë, por fatale, pasi motori humbi drejtimin dhe u përplas me një shtyllë ndriçimi.
Manuel mësohet ra me forcë në asfalt dhe për fat të keq, as përdorimi i kaskës nuk mjaftoi për ta shpëtuar.
Një mik i tij, që po e ndiqte me një tjetër motor, ishte dëshmitar i tragjedisë. Megjithë ndërhyrjen e menjëhershme të ambulancave dhe helikopterit të emergjencës Areu, përpjekjet për ta reanimuar rezultuan të kota, pasi dëmtimet në kraharor dhe bark ishin tepër të rënda.
16-vjeçari i lindur në Itali nga prindër me origjinë shqiptare, ishte rritur në Pian Camuno dhe prej disa muajsh ishte zhvendosur në Artogne. Ai kishte edhe një motër më të madhe dhe një vëlla më të vogël.