Ish-ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, i dha fund karrierës diplomatike, pasi javën që vjen ajo do të pensionohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ajo shprehet krenare që i ka shërbyer vendit të saj për 29 vite.
“Me mirënjohje për mundësinë që më është dhënë të shërbej vendin tim si diplomate, do të dal zyrtarisht në pension nga Departamenti i Shtetit javën e ardhshme. Dje, së bashku me familjen dhe miqtë, festuam këtë moment së bashku,” shkruan Kim në Instagram.
Ajo theksoi se ndjehet krenare për shërbimin e saj nën pesë presidentë dhe dhjetë sekretarë shteti, duke shprehur gjithashtu shpresën për gjeneratën e re të nëpunësve publikë amerikanë.
“E përfundoj këtë kapitull me një zemër plot shpresë për brezin e ardhshëm të shërbyesve publikë të SHBA-së. Zoti e bekoftë Amerikën!”, përfundon mesazhin e saj diplomatja.
Postimi i plotë
“Me mirënjohje për mundësinë që pata të shërbej vendit tim si diplomate, javën e ardhshme do të dal zyrtarisht në pension nga DASH. Dje e festova këtë moment së bashku me familjen dhe miqtë e mi. Jam krenare që kam shërbyer për 29 vite nën drejtimin e pesë Presidentëve dhe dhjetë Sekretarëve të Shtetit. E përmbyll këtë shërbim me një zemër plot shpresë për brezin e ardhshëm të shërbyesve publikë amerikanë. Zoti e bekoftë Amerikën”
CEREMONIA
Në ceremoninë e largimit të ish-ambasadores nga Departamenti Amerikan i Shtetit ishin të pranishëm familjarë, kolegë dhe miq të afërt të Yuri Kim.
Mes të ftuarve ishin edhe ish-ambasadori i SHBA në Tiranë, Alexander Arvizu, ambasadori aktual i Shqipërisë në Uashington, Ervin Bushati etj.
Burime te Panorama.al konfirmuan se Yuri Kim u largua nga DASH në kuadër të një sërë largimesh masive që u ndërmorën në këtë institucion.
Mësohet se Yuri Kim ka pranuar largimin me dëshirë kundrejt pagesës për një kohë të caktuar, në mënyrë që të shmangeshin proceset gjyqësore me DASH.
Yuri Kim shërbeu si ambasadore në Shqipëri gjatë viteve 2019–2023, ku u bë një nga zërat më aktivë të diplomacisë amerikane në vend, duke mbështetur reformën në drejtësi dhe proceset demokratike.
Në karrierën e saj mbi 20-vjeçare, Kim ka shërbyer në disa nga vendet më strategjike për politikën e jashtme të SHBA: Kore, Japoni, Kinë, Irak, Turqi dhe Shqipëri.