Një aksident i rëndë është shënuar pasditen e sotme në autostradën Lushnje–Fier, në afërsi të fshatit Savër, në krahun që të çon drejt Fierit.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip fuoristradë është përplasur nga pas me një kamion, pasi dyshohet se ka tentuar ta parakalojë atë në mënyrë të pasigurt.
Si pasojë e përplasjes, shoferi i mjetit fuoristradë ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Lushnjes. Gjendja e tij shëndetësore raportohet e rëndë, ndërsa nuk ka ende të dhëna për identitetin e tij.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë rrugore, të cilat po punojnë për disiplinimin e trafikut, i cili është rënduar ndjeshëm në këtë segment rrugor.