Në prag të mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës që do të mbahet të martën, ku pritet të merret vendimi për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, ka ardhur një reagim nga nënkryetari i Këshillit, Dorian Teliti.
Veliaj ndodhet aktualisht në paraburgim, ndërsa në diskutim është edhe e drejta e tij për të marrë pjesë në seancë dhe për të shprehur qëndrimin para këshilltarëve vendorë.
Sipas Telitit, edhe pse mazhoranca po përgatitet për shkarkimin, Veliaj ka të drejtë të dëgjohet në sallë. Ai shton se opozita nuk ka frikë nga ajo që Veliaj mund të thotë, përkundrazi, kërkon që ai të vijë dhe të përballet me të zgjedhurit vendorë dhe me publikun.
“Opozita jo vetëm që nuk e shmang përballjen, por e kërkon atë”, shprehet Teliti, duke lënë të kuptohet se kjo do të ishte një mundësi për t’i kujtuar qytetarëve atë që ai e quan “pasojë e 10 viteve keqqeverisje në Tiranë”.
Teliti ngre pikëpyetje mbi atë nëse autoritetet do të lejojnë daljen e përkohshme të Veliajt nga burgu për të marrë pjesë në seancë. Ai lëshon një akuzë të tërthortë ndaj qeverisë, duke e quajtur të frikësuar nga një “fjalë jashtë skenarit”.
“Nëse gjithçka është ndërtuar mbi propagandë dhe teatër, një fjali jashtë kontrollit mund ta prishë gjithë shfaqjen”, shkruan Teliti, duke nënkuptuar se kufizimi i fjalës së Veliajt do të ishte një sinjal frike nga ana e mazhorancës.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak të martën pritet të jetë e tensionuar, me shumicën që kërkon shkarkimin e kryebashkiakut pas arrestimit të tij në kuadër të një hetimi për korrupsion. Ende nuk ka një vendim zyrtar nëse Veliaj do të marrë pjesë në seancë apo jo.
Reagimi i plotë i Dorian Telitit
“FJALA E VELIAJ” vs “LEJA E QEVERISË”!
Të martën është dita kur Veliaj pritet të shkarkohet nga detyra nga Këshilli Bashkiak. Ama para shkarkimit, ai ka të drejtën të dëgjohet aty në sallë përpara të zgjedhurve vendorë të Kryeqytetit.
Opozita jo vetëm që nuk trembet nga ajo fjalë, por kërkon / insiston që Veliaj të jetë aty, ballë për ballë, për t’i thënë atij dhe treguar qytetarëve disa të vërteta mbi korrupsionin dhe dëmet që ai i ka shkaktuar Tiranës në 10 vitet e fundit.
❓ Pyetja që sot bën Tirana – dhe gjithë Shqipëria – është e thjeshtë: A do e lejojë qeveria Veliajn të dalë nga burgu për të folur, apo do ta mbajnë mbyllur nga frika se mos i del boja edhe atyre bashkë me të?
Sepse kur ke ndërtuar një regjim mbi propagandë dhe teatër, një fjalë e vetme jashtë skenarit prish gjithë shfaqjen.
❌ Për shkarkimin e Veliaj duhej leja e qeverisë… po për fjalën e Veliaj, a do jepet ndonjë leje?
E marta po vjen…