Rrjeti SafeJournalists, në bashkëpunim me partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe organizatat për lirinë e medias në Shqipëri, i është drejtuar me një letër të hapur Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për të shprehur shqetësimet serioze lidhur me propozimet për kufizimin e qasjes së gazetarëve në ambientet e Parlamentit.
Në letrën e dërguar, organizatat e medias ngrenë alarmin për disa ndryshime të propozuara nga shumica parlamentare.
Organizatat paralajmërojnë se masa të tilla do të ulnin llogaridhënien, do të cenonin transparencën dhe do t’u mohonin qytetarëve qasjen në informacion të pavarur dhe në kohë reale.
“Parlamenti është një nga të paktat forume ku gazetarët ende kanë mundësi të drejtojnë pyetje direkte përfaqësuesve politikë. Kufizime të tilla do të përbënin një hap pas të madh për lirinë e shtypit në Shqipëri,” thuhet në deklaratën e përbashkët.
Në letër theksohet gjithashtu se qeveria dhe deputetët e shumicës rrallë mbajnë konferenca për shtyp apo marrin pjesë në debate të pavarura, çka e bën edhe më të rëndësishme ruajtjen e aksesit të lirë të medias në mjediset parlamentare.