Policia e Elbasanit ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur paraditen e djeshme (18 Shtator) në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Postës”, ku Mateo Ademi (gardisti 25-vjeçar dhe shofer i prokurorit të SPAK, Alfred Shehu) dyshohet se ka kërcënuar një nga drejtuesit e sektorit të qarkullimit rrugor, Besmir Likaj.
Sipas bluve, në momentin kur efektivi i Rrugores, Besmir Likaj, ditën e djeshme ka qenë në detyrë duke ushtruar patrullim përgjatë segmentit rrugor nga rrethi i 1 Majit deri te rrethi i Postës në Tiranë.
Në momentin kur shefi i Qarkullimit ndodhej pranë rrethit të Postës, gardisti Mateo Ademi i ka bërë shenjë të ndalonte mjetin.
Pasi Besmir Likaj ka ndaluar mjetin, sipas policisë së Elbasanit, “është përballur me një komunikim verbal kërcënues nga ana e Mateo Ademit”.
Gjithashtu ky i fundit dyshohet të ketë përdorur edhe fjalor kanosës ndaj shefit të Qarkullimit.
“Sipas deklarimeve dhe pamjeve filmike të qarkulluara në rrjetet sociale, Mateo Ademi ishte i veshur me të zeza dhe mbante në brez, në krahun e djathtë, një armë zjarri (pistoletë), e cila ishte e dukshme dhe e pambuluar gjë që ka krijuar ndjesinë e intimidimit dhe përshkallëzimit të situatës”, njoftoi policia.
Gjithashtu, theksojnë blutë, nga pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale dallohet që oficeri Besmir Likaj është distancuar nga çdo sjellje konfliktuale apo provokim, duke ruajtur profesionalizmin në ushtrimin e detyrës së tij.
Njoftimi i policisë Elbasan:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje paradite , ku është përfshirë Besmir Likaj, Shef Sektori i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Elbasan dhe shtetasi Mateo Ademi, punonjës i Gardës së Republikës dhe njëherazi shofer i një prokurori të SPAK, sqarojmë si më poshtë:
Punonjësi i policisë rrugore Besmir Likaj ka qenë duke ushtruar patrullim në vijim të detyrës së tij, përgjatë segmentit rrugor nga rrethi i 1 Majit deri te rrethi i Postës, në Tiranë.
Në momentin që ai ndodhej pranë rrethit të Postës, është sinjalizuar nga shtetasi Mateo Ademi të ndalonte mjetin.
Oficeri Likaj ka ndaluar mjetin dhe, menjëherë pas kësaj është përballur me një komunikim verbal kërcënues nga ana e Ademit, i cili dyshohet të ketë përdorur fjalor kanosës.
Sipas deklarimeve dhe pamjeve filmike të qarkulluara në rrjetet sociale, Mateo Ademi ishte i veshur me të zeza dhe mbante në brez, në krahun e djathtë, një armë zjarri (pistoletë), e cila ishte e dukshme dhe e pambuluar gjë që ka krijuar ndjesinë e intimidimit dhe përshkallëzimit të situatës.
Nga materiali filmik i publikuar në rrjete sociale dallohet qartë se oficeri Besmir Likaj është distancuar nga çdo sjellje konfliktuale apo provokim, duke ruajtur profesionalizmin në ushtrimin e detyrës së tij.
Ngjarja është në ndjekje nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka marrë në administrim të gjithë dokumentacionin përkatës, përfshirë edhe deklaratat e palëve dhe materialin video.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për transparencë të plotë dhe zbatim të ligjit për çdo person, pavarësisht funksionit apo pozicionit të tij.