Tre fëmijë të moshave 3, 7 dhe 10 vjeç janë dërguar pasditen e sotme në Pediatrinë e Spitalit të Korçës, pasi dyshohet se kanë konsumuar karamele të gjetura pranë një koshi mbeturinash.
Gjendja e tyre shëndetësore është nën monitorim nga mjekët, ndërsa grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave.
Njoftimi i Policisë:
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 18:15, në Pediatrinë e Spitalit të Korçës janë dërguar nga familjarët për të marrë ndihmë mjekësore 3 fëmijë, të moshave 3, 7 dhe 10 vjeç.
Sipas deklarimeve të familjarëve, dyshohet se fëmijët kanë konsumuar disa karamele, të cilat i kanë gjetur në rrugë, pranë një koshi mbeturinash.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.