Një ngjarje e rëndë është regjistruar në malësinë e Kelmendit, Shkodër, ku një 40-vjeçar ka humbur jetën pasi u rrëzua në një terren të thepisur.
Aksidenti ndodhi rreth orës 09:15, në zonën e quajtur “Kozhnje”. Viktima është identifikuar si M.Ç., banues në fshatin Fushë-Grudë.
Sipas policisë, dyshohet se ai po ecte në një terren të rrezikshëm malor, ku humbi ekuilibrin dhe ra nga lartësia, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
“Rreth orës 09:15, Salla Operative ka marrë njoftim se në njësinë administrative Kelmend, në vendin e quajtur ‘Kozhnje’, shtetasi M. Ç., 40 vjeç, banues në fshatin Grudë Fushë, dyshohet se ka qenë duke ecur në një terren të thepisur malor, është rrëzuar nga lartësia dhe si pasojë ka humbur jetën,” njoftoi policia.
Rrethanat e plota mbeten të paqarta, përfshirë edhe arsyen pse viktima po lëvizte në atë zonë të vështirë. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të rastit.