Kultivimi i drogës në plantacione të mëdha e parcela të fshehura në pyje vijon me intensitet të lartë nga banorët e zonave malore.
Pesë raste janë zbuluar së fundmi nga Policia e Shkodrës në zonën e Pultit, Shoshit, Bajzës dhe Shllakut dhe Kastratit, duke gjetur të mbjella në total 4639 bimë narkotike kanabis sativa, që u asgjësuan.
Tre persona u shpallën në kërkim pas identifikimit, 5 kryepleq të fshatrave të njësive administrative ku u gjet droga u morën nën akuzë për shpërdori detyre dhe dy të tjerë gjithashtu për moskallëzim krimi.
Tre të kërkuarit akuzohen se kishin kultivuar një parcelë më 780 bimë narkotike në fshatin Bajzë, kurse për pjesën tjetër ende nuk ka të identifikuar, pasi toka ka qenë publike. Gjithashtu vidhnin edhe energjinë elektrike për të kultivuar bimët narkotike. Operacioni është koduar “Koordinata”.
Në territoret e njësive administrative Shosh dhe Pult, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 3092 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa, kurse autorët mbeten ende të paidentifikuar.
“Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryetarët e fshatrave Gimaj, Vuksanaj dhe Nicaj, shtetasit P. Sh., K. Gj. dhe M. M., për veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “moskallëzimi i krimit”; për shtetasin P. D., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, tha policia vendore.
Kurse në territorin e njësisë administrative Kastrat, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, gjetën dhe asgjësuan 1274 bimë të dyshuara narkotike.
“Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit A. M., 57 vjeç, R. M., 30 vjeç, dhe R. M., 24 vjeç, banues në Bajzë, pasi dyshohet se kanë kultivuar 780 bimë narkotike që u gjetën në fshatin Bajzë dhe kanë lidhur në mënyrë të kundërligjshme energjinë elektrike në një banesë që kishin në përdorim, e vënë në funksion të kësaj veprimtarie kriminale”, tha policia.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryetarët e fshatrave Bajzë dhe Hot, shtetasit P. K. dhe A. H., për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, për P. S., për veprën penale “moskallëzimi i krimit”.
Ndërsa në territorin e njësive administrative Shllak dhe Temal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 273 bimë të dyshuara narkotike hashash, me autorë po të paidentifikuar.