Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar qytetarët shqiptarë për një valë mesazhesh mashtruese “smishing”, që synojnë t’i mashtrojnë duke u dërguar gjoba të rreme për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Sipas njoftimit të AKSK-së, në këto mesazhe SMS përfshihet një link i rremë që kërkon kryerjen e pagesave online. Autoriteti thekson se qytetarët nuk duhet të klikojnë në linkun e dërguar dhe nuk duhet të japin asnjë informacion personal.
AKSK informon gjithashtu se ka marrë masa të menjëhershme për të raportuar dhe bllokuar faqen që po përdoret për këtë mashtrim.
Njoftimi i AKSK:
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon se po qarkullon një mesazh “smishing” që synon të mashtrojë qytetarët me gjoba të rreme për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
* Mos hapni linqe të dyshimta që vijnë nga SMS ose email-e jozyrtare.
* Mos kryeni kurrë pagesa përmes faqeve që nuk janë domaine zyrtare.
* Njoftoni menjëherë AKSK ose institucionet përkatëse nëse hasni mesazhe të tilla.