Ndërsa sot pritej të jepeshin nga mbrojtja konkluzionet përfundimtare për dosjen “Sterilizimi” me 8 persona të pandehur, mes tyre ish-zv/ministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj, ka dështuar seanca në Gjykatën e Posaçme.
Procesi po bëhet me procedurë të shkurtuar, pasi të pandehurit pranuan aktet e dosjes, që është veçuar nga ajo e ish-ministrit Ilir Beqaj, ndaj të cilit po bëhet gjyq i zakonshëm.
Mësohet se shkak për shtyrjen është bërë mungesa për arsye shëndetësore e avokatit Dritan Hamitaj, mbrojtës i ish-zv/ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Duke marrë shkas nga mungesa, SPAK kërkoi që seanca të mos vijonte dhe paraqiti një kërkesë për pezullimin e afateve të paraburgimit për të pandehurit, kërkesë që u pranua nga trupa gjykuese.
Seanca e radhës u caktua për datën 1 tetor, në orën 14:00. SPAK kërkon dënimin e 8 të pandehurve për shpërdorim detyre, në lidhje me tenderin 100 mln euro të sterilizimit.