Fushat e grurit jashtë Seqalbias, pranë qytetit sirian të Hamës, duhet të jenë të arta dhe të mbushura me drithëra.
Në vend të kësaj, shumë hektarë janë të thata dhe të boshatisura, duke dhënë mezi një të tretën e të korrave të tyre të zakonshme.
“Ky vit ishte katastrofik për shkak të thatësirës”, shprehen fermerët për BBC. Kjo është thatësira më e keqe në 36 vjet dhe ka ulur të korrat e grurit me 40% dhe po e shtyn vendin – ku gati 90% e popullsisë jeton tashmë në varfëri – në prag të një krize më të gjerë ushqimore.
Një raport nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO) vlerëson se Siria do të përballet me një mungesë gruri prej 2.73 milionë tonësh këtë vit, ekuivalente me nevojat vjetore dietike për 16.25 milionë njerëz.
Pa më shumë ndihmë ushqimore ose pa mundësinë për të importuar grurë, kriza e urisë në Siri do të përkeqësohet në mënyrë dramatike, paralajmëroi Piro Tomaso Perri, zyrtari i lartë i programit të FAO-s për Sirinë. Kjo edhe për shkak të luftës civile shumëvjeçare atje.
“Pasiguria ushqimore mund të arrijë nivele të papara deri në fund të vitit 2025 deri në mesin e vitit 2026”, tha ai.
Gjithashtu vuri në dukje se më shumë se 14 milionë sirianë – gjashtë në 10 persona – tashmë po përpiqen të hanë mjaftueshëm. Nga këta, 9.1 milionë përballen me uri akute, përfshirë 1.3 milionë në kushte të rënda, ndërsa 5.5 milionë rrezikojnë të bien në krizë pa ndërhyrje urgjente.
I njëjti raport tregoi se reshjet e shiut kanë rënë me gati 70%, duke dëmtuar 75% të tokës bujqësore të Sirisë të ushqyer nga shiu.