Biznesmeni Ermal Beqiri është paraqitur dje në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku ka dhënë shpjegime për hetimin që po zhvillohet lidhur me tenderat e dyshuar si abuzivë në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Burime për News24 bëjnë me dije se SPAK ka vendosur të bashkojë dy çështje hetimore në një dosje të vetme, duke sekuestruar dokumentacionin e plotë të tenderave të zhvilluar nga AKSHI dhe kontratave që lidhen me kompanitë e Beqirit.
Ndërsa po shqyrtohen edhe bilancet e kompanive të Beqirit duke u krahasuar me dokumentet e tenderave të AKSHI që po hetohen nga SPAK-u.
Sipas hetimeve paraprake, në fokus janë bilancet financiare të kompanive të Beqirit, të cilat po krahasohen me dokumentacionin e tenderave që dyshohet se janë dhënë në mënyrë të parregullt.
Partia Demokratike ka akuzuar publikisht Ermal Beqirin si përfitues të vazhdueshëm të tenderave në AKSHI, përmes kompanisë së tij “SOFT & Solution shpk”.
Në një deklaratë të bërë disa muaj më parë, PD denoncoi një procedurë prokurimi të zhvilluar në tetor 2024, ku kjo kompani u shpall fituese e një kontrate me vlerë 3.1 milionë euro, ndërsa u skualifikuan dy kompani të tjera konkurruese.
Burimet bëjnë me dije se hetimi i Prokurorisë së Posaçme përfshin analizën e mënyrës së zhvillimit të tenderave, përzgjedhjen e fituesve, kriteret e vendosura dhe lidhjen e tyre me funksionarë të lartë të AKSHI-t.
Ndërkohë, SPAK po heton edhe burimet financiare, qarkullimin dhe deklarimet tatimore të shoqërisë “Soft & Solution”, në kuadër të verifikimit për veprat penale të korrupsionit pasiv, aktiv dhe shpërdorimit të detyrës.