Kameramani Ervin Hoti është ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit të sotëm, pas një sëmundjeje të rëndë.
Prej 22 vitesh pjesë e stafit të RTSH-së, Hoti kontribuoi në realizimin e qindra programeve televizive, nga emisionet e përditshme deri te produksionet më të mëdha dhe spektaklet e rëndësishme.
Profesionalizmi i tij dhe ndjeshmëria vizuale e kthyen në një prej “syve” më të saktë dhe krijues, nëpërmjet të cilëve publiku shqiptar ka parë për më shumë se dy dekada ekranin e RTSH-së.
I njohur për korrektësinë, seriozitetin dhe intuitën e hollë në punë, Hoti do t’i mungojë thellësisht jo vetëm familjes dhe miqve të tij, por edhe kolegëve dhe gjithë institucionit të Radio Televizionit Shqiptar.