Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka vizituar sot familjen e Martin Canit, 14-vjeçarit që u godit për vdekje me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj, krim i ndodhur më 18 nëntor 2024 pak metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë ku dy adoleshentët arsimoheshin.. Ai e cilëson ngjarjen një dramë të rëndë që ka lënë plagë të thella në shoqërinë shqiptare dhe një kambanë alarmi për të gjithë.
“Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani pas një konflikti në shkollë ishte një dramë e rëndë që tronditi opinionin dhe trembi çdo familje. Ngjarje të tilla nuk duhet të harrohen kurrë,” shkruan Salianji, duke shtuar se dhimbja e prindërve të adoleshentit është e pamasë.
Në reagimin e tij, ai thekson se thjesht vizita tek familja nuk mjafton. “Institucionet kanë detyrimin të nxjerrin përgjegjësit, të mos fshehin fajet pas justifikimeve dhe paralelisht të ndërmarrin masa të qarta,” shprehet ish-deputeti demokrat. Ai propozon ristrukturim të sigurisë në shkolla, praninë e psikologëve dhe punonjësve socialë në çdo institucion arsimor, si dhe zhvillimin e programeve edukative që synojnë parandalimin e dhunës mes të rinjve.
“Shkolla duhet të jetë vendi ku fëmijët tanë rriten, mësojnë dhe ëndërrojnë të qetë – jo një vend ku rrezikojnë jetën. Kujtimi i Martin Canit duhet të shërbejë si thirrje për veprim, që të mos përsëriten më tragjedi të tilla,” nënvizon Salianji.
Postimi i plotë i Ervin Salianjit
“Para dyerve të shkollës u shua jeta e Martin Canit! Sot isha pranë prindërve të tij.
Shoqëria shqiptare ka plagë dhe traumat e saj, vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani pas një konflikti në shkollë ishte një dramë e rëndë që tronditi opinionin dhe trembi çdo familje. Ngjarje të tilla nuk duhet të harrohen kurrë, sepse janë kambanë alarmi për të gjithë ne.
Sot isha për vizitë tek prindërit e mrekullueshëm të Martin Canit, për të nderuar kujtimin e tij dhe për të ndarë dhimbjen e tyre. Por kjo nuk mjafton. Institucionet kanë detyrimin të nxjerrin përgjegjësit, të mos fshehin fajet pas justifikimeve dhe paralelisht të ndërmarrin masa të qarta: ristrukturim të sigurisë në shkolla, praninë e psikologëve e punonjësve socialë në çdo institucion arsimor, dhe programe edukimi që parandalojnë dhunën mes të rinjve.
Shkolla duhet të jetë vendi ku fëmijët tanë rriten, mësojnë dhe ëndërrojnë të qetë – jo një vend ku rrezikojnë jetën. Kujtimi i Martin Canit duhet të shërbejë si thirrje për veprim, që të mos përsëriten më tragjedi të tilla.”