Të tjera detaje janë zbuluar nga vdekja e 58-vjeçarit Jorgo Ajredini, i cili pas rreth 15 ditësh në koma dhe në gjendje të rëndë, ka humbur jetën në QSUT.
Jorgo Ajredini u dërgua më 13 gusht nga familjarët në spitalin e Korçës me plagë në kokë dhe për shkak të gjendjes së rëndë, u transferua menjëherë në Tiranë. Fillimisht, policia e Korçës e referoi ngjarjen si aksidentale, duke dyshuar se 58-vjeçari ishte goditur nga kali. Por, familjarët hedhin poshtë këtë version dhe ngulin këmbë se kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale.
Vëllai i tij, Ilia Ajredini, ka deklaruar për mediat se trupi i tij është gjetur nga disa kushërinjë në një kanal, të cilët kanë thënë se ai është goditur nga kali. Siç tregon vëllai i viktimës, vetë Jorgo Ajredini ka rrëfyer kur është dërguar në spital se nuk është goditur nga kali, por nga një person nga Pogradeci.
“S’më ka goditur kali, por një person nga Pogradeci”, këto kanë qenë fjalët fundit të Jorgo Ajredini, pasi sipas të vëllait, më pas ka pësuar hemorragji nga goja dhe nuk ka mundur të flasë më.
Ai zbulon se i vëllai vetullën e kishte të çarë, pas veshit kishte goditje tjetër dhe në nofull gjithashtu. Kjo sipas tij vërteton që nuk është goditje kali, sepse ka goditje në disa vende. Ndër të tjera ai tregon se viktima ka pasur një konflikt me një djalë nga Rrëmbeci dhe u dënua dhe bëri burg.
“Ishte punë dashurie, ndarje familjare. Vëllait tim ia mori të shoqen ky djalë dhe e goditi me sëpatë. Ngjarja ka mbi një vit e gjysmë. Nuk besoj të jetë i njëjti autor, por nga goditjet që pashë janë me sende të rënda, nga ato që pashë unë në spital në Tiranë”, u shpreh ai për mediat, ndërsa kërkoi drejtësi për të vëllanë.
“Ngjarja ka ndodhur në fshatin Rëmbec të Korçës. E gjetën kushërinjtë tanë dhe e sollën në Korçë. U tha se e kishte goditur kali. Vëllain e gjetën të hedhur në kanal, në dy vende kishte gjak dhe 4-5 metra më larg gjetën vëllain. E sollën në Korçë. Në kohën që do ta çonin në Tiranë, vëllai tha që nuk e kishte goditur kali, por e kishte goditur një njeri nga Pogradeci.
Doli gjak nga goja dhe nuk mundi të fliste dot më. Vetullën e kishte të çarë, pas veshit kishte goditje tjetër dhe në nofull gjithashtu. Kjo vërteton që nuk është goditje kali, sepse ka goditje në disa vende. Këta djemtë që kanë dhënë deklaratat ishin të parët që e gjetën. Ka pasur një konflikt me një djalë nga Rrëmbeci, ai u dënua dhe bëri burg. Ishte punë dashurie, ndarje familjare. Vëllait tim ia mori të shoqen ky djalë dhe e goditi me sëpatë.
Ngjarja ka mbi një vit e gjysmë. Nuk besoj të jetë i njëjti autor, por nga goditjet që pashë janë me sende të rënda, nga ato që pashë unë në spital në Tiranë. Në Tiranë ndenji 15 ditë në koma, mjekët thanë se ishte në gjendje të rëndë. Ekspertiza nuk na dha përgjigje, por prokurorisë së Korçës. Ne po e varrosim vëllain, por duam të zbardhet ngjarja. Nuk e ka goditur kali, 1000%. Kaq kisha”, rrëfen Ilia Hajredini.
Edhe Agusitn Ajedini, vëllai i viktimës, ka treguar të njëjtin version për ngjarjen dhe thekon se atij i bënë pritë.
“Kam qenë në Rëmbec bashkë me vëllanë. U ndamë aty. E gjeta duke pirë ndonjë gotë te muzeumi, tek klubi. Vëllai mori kalin dhe shkoi ta lidhte në jonxhë, unë ika në shtëpi. Vjen kushëriri, më zgjon dhe më thotë: “Është goditur vëllai nga kali.” Shkuam 45 minuta para se ta nisnin në Tiranë. E pyeta vëllain dhe më tha: “S’më ka goditur kali, por një person nga Pogradeci.” Shkova në Tiranë një ditë, të nesërmen e denoncova në Maliq, çështja ishte shumë e rëndë.
Ishte në gjendje kome; doktorët e ngritën lart, sepse ishte pak më mirë. “Më goditi,” tha vëllai, por s’qe i vetëdijshëm. Pastaj vajti prapë poshtë dhe e ngritën përsëri. Fundi ja ku është… Me pak fjalë e kanë goditur. Në vendin që duhej lidhur kali nuk ishte kali, ai duhej të ishte në jonxhë. Atij i bënë pritë. Kur tha “më goditën” tha edhe “një i shkurtër nga Pogradeci”. Këtë e tha vetë. Dua të vërtetën. Policia s’ka bërë asgjë”, tha ai.
Për mediat ka folur edhe daja i Jorgo Ajredinit, Kostaq Kosturi, i cili është shprehur se edhe mjekët kanë konstatuar se ai është goditur me sende të forta dhe jo nga kali.
“E çoi djali më përpara. Unë me vëllain e të ndjerit shkova në Tiranë dhe nuk dinin identitetin e nipit tim. Ia dhanë relacionin, infermierët thirrën doktorin. Kur vjen doktori thotë: “Çfarë u bë me këtë djalë? Çfarë e ke ti?” Unë i thashë: “E kam nip.” Ai e ka vëlla. “Si u aksidentua ky person?” tha doktori. Ishte e dyta herë që e kishin goditur këtë djalë, qëlloi i njëjti mjek që kishte qenë edhe herën tjetër kur e kishin goditur. Vëllai tha: “Çfarë u bë këtu, kush e ka goditur?” Ne e informuam se policia e Korçës tha se e kishte goditur kali, por ai na tha se nuk e ka goditur kali, por është goditur me mjete të forta. U nxeh duke shtuar: “Ku është policia e Korçës, pse nuk vjen këtu?” Ne i kërkuam ta shohim, por mjeku na tha: “Nesër do t’ju kontaktoj.” Pas dy ditësh e pamë, ishte në gjendje të rëndë”, tha daja.