Miklovan Danaj, 30 vjeç, nga Shkodra, dyshohet se është ekzekutuar si pasojë e përplasjeve mes grupeve kriminale të përfshira në trafikun e kokainës, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Ndërkohë dyshohet se trupi i pajetë që u gjet ditën e djeshme në zonën e Marbellës në Spanjë dyshohet se i përket pikërisht Dakajt, i cili ishte shpallur i zhdukur që prej datës 12 maj të këtij viti, pas një denoncimi të bërë nga bashkëshortja e tij.
Për të konfirmuar identitetin e viktimës, autoritetet spanjolle kanë marrë mostrat e ADN-së së vajzës së mitur dhe vëllait të Dakajt, të cilat do të krahasohen me ADN-në e trupit të gjetur.
Sipas të dhënave nga hetimi paraprak, Dakaj kishte shkuar së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e vogël në një qendër shëndetësore dhe më pas kishin drekuar së bashku. Më vonë, ai ishte larguar për t’u takuar me dy persona, ndërsa gruaja ishte kthyer në shtëpi. Që nga ai moment, ajo nuk ka mundur të lidhet më me të.
Pak ditë më vonë, një person i paidentifikuar ka shkuar në banesën e familjes së Dakajt dhe u ka thënë të mos e kërkonin më, sepse ai ishte vrarë.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se Dakaj është parë duke hipur në një automjet, në dukje me dëshirë, dhe personi i fundit që është konfirmuar se e ka takuar është Juxhin Drazhi, një anëtar i njohur i grupit kriminal të Elvis Docit, i njohur ndryshe si “Visi i Pojës”.
Drazhi, i cili ishte në kërkim për trafik narkotikësh dhe përfshirje në grup kriminal, është arrestuar në një vilë luksoze në Marbella. Ende nuk dihet nëse ai është marrë në pyetje në lidhje me zhdukjen dhe vrasjen e dyshuar të Dakajt.
Ndërkohë, Policia Shqiptare ka nisur bashkëpunimin me autoritetet spanjolle, pasi edhe babai dhe vëllai i viktimës kanë depozituar kallëzim penal në komisariatin e Shkodrës.