Itali– Një 33-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët italianë gjatë një aksioni, pasi akuzohet për ngacmimin seksual të dy vajzave, njëra prej të cilave është minorene.
Ngjarjet kanë ndodhur në Peruxhia, ndërsa i dyshuari ishte një emër i njohur për autoritetet, për shkak të precedentëve të mëparshëm. Gjithashtu ai po hetohet edhe për furnizim me lëndë narkotike, hetim që është nën proces.
Denoncueset janë të moshës 16 dhe 29 vjeçe, teksa rastet e ngacmimeve seksuale ishin kthyer në shqetësim për komunitetin e zonës.
Prej këtu nisën hetimet, ndërsa dy denoncueset kanë rrëfyer edhe detajet e sulmeve. Ato konfirmuan se ishin sulmuar seksualisht në incidente të ndara, njëra prej të cilave përfshinte shitjen e një doze kokaine. Konkretisht, e mitura raportoi se ishte prekur në pjesët intime nga 33-vjeçari, i cili e kishte mbajtur me forcë dhe madje ishte përpjekur ta puthte.
Episodi i fundit ndodhi kur karabinierët u përpoqën ta ndalonin atë për një kontroll. Shqiptari rezistoi me dhunë, duke u përpjekur të arratisej dhe duke reaguar agresivisht ndaj oficerëve. Pas një përleshjeje, karabinierët arritën ta nënshtronin dhe ta çonin në kazermë. Dosja e hapur nga Prokuroria Publike e Perugias çoi në vlefshmërinë e arrestimit dhe urdhrin e paraburgimit, informon media italiane.
Hetuesit po mbledhin informacione për të zbuluar raste të tjera abuzimi.