Në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit mbahen homazhet e lamtumirës për Dhimitër Anagnostin, ikonën e kinematografisë shqiptare, i cili u nda nga jeta pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Aktorë, regjisorë, kolegë të afërt, figura të njohura të artit dhe politikës, por edhe qytetarë të thjeshtë, po i japin sot lamtumirën mjeshtrit të madh, i cili ka lënë një trashëgimi të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Homazhet do të vijojnë deri në orën 13:00.
Dhimitër Anagnosti do të përcillet për në banesën e fundit, ashtu siç kishte lënë amanet në Vuno të Himarës, vendlindjen e tij, të cilën e ruajti gjithmonë në zemër.
Në nderim të figurës së tij, Qeveria ka shpallur datën 2 Shtator Ditë Zie Kombëtare. Flamujt në të gjithë vendin janë ulur në gjysmështizë, ndërsa institucionet shtetërore po zhvillojnë homazhe për të nderuar jetën dhe veprën e një prej emrave më të mëdhenj të artit shqiptar.