Pandeli Nakoleci, 40-vjeçari shqiptar që vrau me thikë bashkëshorten e tij Marjola Nakoleci në sy të katër fëmijëve, ka dalë sot përpara gjykatës greke, ku është përballur me akuzën për vrasje të rëndë. Edhe pse ka shfaqur pendesë të thellë për krimin, gjykata vendosi masën e “arrestit me burg” ndaj tij.
Në një rrëfim emocional dhe kontradiktor para trupit gjykues, Nakoleci e përshkroi martesën e tij si të gjatë dhe “të mbushur me dashuri”. Ai tha se kishte punuar pa pushim si bukëpjekës dhe në ndërtim, ndërsa bashkëshortja kujdesej për fëmijët dhe punonte sezonalisht.
Por sipas tij, gjithçka ndryshoi pas Pashkëve të këtij viti. Ai pretendon se zbuloi një lidhje jashtëmartesore të gruas përmes mesazheve në telefon. “Ajo e pranoi lidhjen vetëm pas shumë hezitimesh,” tha ai. Në dëshminë e dhënë përpara gjykatës, ai pretendoi se ajo e kishte fyer rëndë duke i thënë se një nga fëmijët “nuk ishte i tij”.
“Isha i dërrmuar, i poshtëruar, i shkatërruar. Mora një thikë nga ballkoni që e përdornim për skarë dhe e godita. Nuk doja ta vrisja. Doja vetëm ta trembja… Por nuk kuptova se çfarë po bëja”, tha i pandehuri, sipas Protothema.gr.
Ai mohoi kategorikisht që të kishte ushtruar ndonjëherë dhunë ndaj gruas dhe i quajti akuzat për dhunë në familje “të pavërteta dhe të pabazuara”. Në vijim, kërkoi që ndaj tij të bëhet ekspertizë psikiatrike, duke thënë se kishte tentuar vetëvrasjen dhe ishte diagnostikuar me çrregullime ankthi dhe konfuzion mendor.
“Do doja ta ktheja kohën pas. Do preferoja të isha unë në vend të saj. Jam i shkatërruar dhe i penduar thellë për atë që ndodhi. U kërkoj falje fëmijëve të mi, familjarëve të saj dhe gjithë shoqërisë,” përfundoi ai në sallën e gjyqit.
Seanca e radhës pritet të mbahet në ditët në vijim. Gjykata do të shqyrtojë edhe kërkesën për kryerjen e ekspertizës psikiatrike.