Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, ka shprehur shqetësim të thellë mbi operacionin ushtarak të Izraelit në qytetin e Gazës, duke e cilësuar si një veprim që përbën jo vetëm shkelje të së drejtës ndërkombëtare, por mbart edhe rreziqe të jashtëzakonshme humanitare.
Ata theksojnë se vendosjet me dhunë të kolonëve hebrej në territore palestineze në Bregun Perëndimor, me qëllim minimin e zgjidhjes “2 kombe, 2 shtete”, përbëjnë gjithashtu shkelje flagrante të ligjit e të së drejtës ndërkombëtare.
“Këto veprime e tejkalojnë të drejtën e Izraelit për tu mbrojtur si dhe thellojnë edhe më tej katastrofën humanitare aktuale, për të cilën ka shprehur shqetësim të thellë i gjithë komuniteti ndërkombëtar”, thekson Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë.
Këshilli i Ambasadorëve shprehet se respektimi i së drejtës ndërkombëtare, respektimi i rezolutave përkatëse të OKB-së, mbrojtja e civilëve, dhe zbatimi i zgjidhjes dy kombe, dy shtete, me garanci sigurie për Izraelin, përbëjnë bazat e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Lindjes së Mesme.
Reagimi i plotë
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh shqetësim për lajmin se Qeveria e Izraelit ka nisur operacionin për pushtimin ushtarak të qytetit të Gazës, një veprim që përbën jo vetëm shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të rezolutave përkatëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por mbart edhe rreziqe të jashtëzakonshme humanitare dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Shprehim gjithashtu shqetësimin për çdo ndryshim demografik apo territorial në Territoret e Pushtuara Palestineze, si në Gaza dhe në Bregun Perëndimor.
Vendosjet me dhunë të kolonëve hebrej në territore palestineze në Bregun Perëndimor, me qëllim minimin e zgjidhjes “2 kombe, 2 shtete”, për të cilën është investuar fuqishëm bashkësia ndërkombëtare e që përbën të vetmen zgjidhje paqësore e të qëndrueshme në rajon, si dhe përpjekjet për të zhvendosur popullsinë civile palestineze nga tokat e tyre, përbëjnë gjithashtu shkelje flagrante të ligjit e të së drejtës ndërkombëtare.
Këto veprime e tejkalojnë të drejtën e Izraelit për tu mbrojtur si dhe thellojnë edhe më tej katastrofën humanitare aktuale, për të cilën ka shprehur shqetësim të thellë i gjithë komuniteti ndërkombëtar.
Gaza dhe Bregu Perëndimor duhet të mbeten pjesë integrale e një Shteti Palestinez të pavarur në të ardhmen, ku nuk duhet të ketë më vend për terroristët e Hamasit, një shtet që bashkëjeton me dinjitet e në paqe me të gjithë fqinjët, në radhë të parë me Izraelin.
Ne, u bashkohemi thirrjeve ndërkombëtare për një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të gjithë të pengjeve izraelitë, që ndodhen ende në duart e terroristëve, dhe për sigurinë e ndihmës humanitare në shkallë të gjerë për popullsinë civile.
Respektimi i së drejtës ndërkombëtare, respektimi i rezolutave përkatëse të OKB-së, mbrojtja e civilëve, dhe zbatimi i zgjidhjes dy kombe, dy shtete, me garanci sigurie për Izraelin, përbëjnë bazat e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Lindjes së Mesme.