Detaje të rënda kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen makabre të 36-vjeçares Marjola Nakoleci, nënë e katër fëmijëve, e cila u vra të premten e kaluar në Volos nga bashkëshorti i saj, Pandeli Nakoleci.
Sipas mediave greke, në momentin kur gruaja po përpiqej të shpëtonte dhe ndodhej në hyrje të banesës, autori e kishte ndjekur nga pas me qëllime të qarta dhune.
Në atë çast, djali i tyre 13-vjeçar mësohet se u hodh mbi 40-vjeçarin në përpjekje për ta ndaluar dhe për të shpëtuar të ëmën.
Të tre fëmijët më të vegjël të çiftit ishin dëshmitarë të debatit të ashpër mes prindërve që kishte nisur më herët atë mëngjes, brenda apartamentit familjar.
Duke parë nënën të vraponte për t’i shpëtuar rrahjeve dhe babain që e ndiqte i tërbuar, dy fëmijët më të mëdhenj, vajza 16-vjeçare dhe djali 13-vjeçar, tentuan ta ndihmonin.
Djali u përlesh me autorin, duke u kapur fort pas qafës së tij për ta ndaluar, ndërsa babai godiste me një mjet të mprehtë që dyshohet të jetë pjesë e një seti për skarë, duke i shkaktuar plagë të rënda bashkëshortes së tij dhe nënës së fëmijëve.
Vajza e dytë e viktimës vrapoi gjithashtu drejt vendngjarjes dhe e përqafoi të ëmën në momentet e fundit, ku 36-vjeçarja ndërroi jetë në duart e saj.
Ndërkohë, vajza më e vogël e familjes, vetëm 5 vjeç, kishte mbetur tronditur brenda apartamentit.
Ekspertiza mjeko ligjore tregoi se trupi i gruas së ndjerë kishte plagë të rëndë në kraharor dhe në qafë nga thika, si dhe plagë që tregojnë se ajo u përpoq të mbrohej.