Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me aksionet për prishjen e ndërtimeve të paligjshme në disa zona të vendit, duke theksuar se bëhet fjalë për një proces të pandalshëm dhe jo për një aksion të përkohshëm.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se ky proces do të vijojë deri në eliminimin përfundimtar të këtij fenomeni dhe do të shoqërohet me një paketë të re masash që synojnë forcimin e zbatimit të ligjit.
“Shembja e objekteve të paligjshme, e cila ka nisur kudo, nuk është një aksion, po një proces që jo vetëm s’do të ndalet deri në eliminimin e këtij fenomeni, por edhe do të shoqërohet ditët në vijim me paketën e re të masave për tkurrjen e këtij fenomeni, duke rritur forcën goditëse të ligjit mbi fajtorët dhe personat përgjegjës të nivele të ndryshme, përfshirë edhe “symbyllurit” në inspektoriate, polici e me radhë
*Këto pamje janë nga operacioni i nisur sot në Kepin e Rodonit, Bashkia Durrës, ku një tjetër mrekulli e natyrës është abuzuar për qëllime fitimi nga ndërtime të paligjshme”, shkruan Rama, i cili ka publikuar edhe disa pamje.