Pandeli Nakoleci, i cili vrau gruan e tij në Volos, u arrestua pasditen e së shtunës, më 23 gusht, nga autoritetet greke. Ai u kap në rrugën Pagason, në qendër të qytetit, vetëm 200 metra larg banesës ku ndodhi krimi i rëndë.
Sipas burimeve nga policia, autori ishte fshehur në një parking, ku qëndroi për disa orë pas ngjarjes.
Menjëherë pas kryerjes së krimit, ai u arratis nga vendi i ngjarjes, duke u zhdukur pa lënë gjurmë.
Vrasje para fëmijëve të mitur
Krimi ndodhi mëngjesin e djeshëm (22 gusht) në banesën e çiftit në qytetin e Volosit, ku Nakoleci dyshohet se goditi për vdekje bashkëshorten me një mjet kuzhine. Katër fëmijët, të moshës nga 6 deri në 18 vjeç, ndodheshin në shtëpi dhe ishin dëshmitarë të ngjarjes së rëndë.
Pas krimit, 40-vjeçari u arratis. Krimi ndodhi në rrugën “Konstanda”, ndersa autori i dyshuar është 40-vjeçari shqiptar, Pandeli Nikoleci., i cili u largua me vrap pasi kreu aktin makabër.
Ngjarja u zbulua pasi vajza 16-vjeçare e çiftit, e tmerruar, telefonoi urgjencën pasi pa nënën e saj të gjakosur në hyrje të pallatit. Sipas burimeve mjekësore, viktima, e identifikuar si Marjola Nakoleci, kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes për shkak të gjakderdhjes së madhe, e shkaktuar nga goditje me thikë dhe prerje nga xhamat e thyer të derës hyrëse.
“E pashë babin të qëllonte mamin me thikë”
Dëshmia rrëqethëse e vajzës së mitur përforcon dyshimet se viktima fillimisht u godit me thikë në banesë dhe më pas u ndoq nga burri i saj në shkallët e pallatit. Pasi e arriti në hyrje, ai e shtyu drejt xhamit të derës, duke i shkaktuar plagë fatale nga copat e thyer të xhamit. Më pas, autori u largua menjëherë.
Vajza tha për median gegonota.neës se prindërit e saj kishin shpesh debate dhe se kohët e fundit e ëma e kishte larguar të atin nga shtëpia. “Nuk e di pse u zunë sot… Babai e xhelozonte shumë mamanë,” shtoi ajo.
Sipas mjekëve të spitalit të qytetit, vdekja e 36-vjeçares erdhi pas traumës së rëndë nga rënia mbi xhamat e thyer.
“Një grua e qetë, punëtore dhe nënë e përkushtuar”
Banorët e pallatit ku çifti jetonte prej disa muajsh janë të tronditur. Ata e përshkruajnë viktimën si një grua të qetë, punëtore dhe të përkushtuar ndaj fëmijëve të saj. Ajo punonte në një fabrikë dhe ishte shtylla e familjes.
Çifti kishte katër fëmijë, më e madhja është një vajzë 18-vjeçare dhe më i vogli një djalë vetëm 6 vjeç.
E kaluara e errët kriminale dhe probleme mendore
Sipas një deklarate zyrtare të policisë greke, autori ka një të kaluar të ngarkuar kriminale dhe historik të problemeve të shëndetit mendor:
• 2013: Arrestuar për falsifikim dokumentesh dhe hyrje të paligjshme në Greqi
• 2018: Dënuar me 1 vit burg për deklarata të rreme.
• 2019: Arrestuar dy herë për posedim droge.
• 2020: Dënuar me 4.5 vite burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge.
Në qershor të këtij viti, Nakoleci u shtrua me urdhër prokurorie në një klinike psikiatrike në Spitalin e Volosit, pasi kishte tentuar vetëvrasjen. Mjekët përcaktuan se ai kishte nevojë për trajtim të detyrueshëm dhe ai kishte qëndruar i shtruar për disa kohë.