Një 51-vjeçare shqiptare, e njohur më herët nga autoritetet dhe pa vendbanim të përhershëm në Itali, është arrestuar nga karabinierët në Magione, pasi u kap me kokainë të ndarë në doza për shitje.
Operacioni nisi pas ndalimit të dy burrave në një automjet, të cilëve iu gjetën sasi të vogla kokaine (0.7 dhe 1.3 gramë), duke u klasifikuar si përdorues dhe referuar në Prefekturë. Kontrollet çuan më pas në një banesë të lidhur me njërin prej tyre, ku u zbulua edhe 51-vjeçarja shqiptare.
Sapo pa forcat e policisë, ajo tentoi të flakte tri qese hermetike, që përmbanin 1.70 gramë kokainë, por u ndalua menjëherë. Gjatë kontrollit personal, iu gjetën edhe katër qese të tjera me 2.20 gramë kokainë, 50 euro të dyshuara si përfitim nga shitja dhe një telefon celular.
Pas arrestimit në flagrancë për “posedim me qëllim shpërndarjeje të lëndëve narkotike”, e arrestuara u dërgua në Komandën e Karabinierëve të Città della Pieve. Gjyqtari konfirmoi masën e arrestit dhe urdhëroi ndalimin e kthimit të saj në Provincën e Perugias.