Një 30-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali nga policia e Ragusës, pasi akuzohet se prej dy vitesh shantazhonte dhe zhvaste ish-pronarin e tij bujqësor, duke i kërkuar shuma të mëdha parash të shoqëruara me kërcënime.
Sipas autoriteteve italiane, ish-punëdhënësi kishte denoncuar se çdo 30-40 ditë merrte kërkesa për para që varionin nga 2.500 deri në 4.000 euro, të shoqëruara me kërcënime për dhunë fizike ose dëmtim të pajisjeve të kompanisë.
Policia organizoi një dorëzim të kontrolluar të shumës së fundit prej 1.400 euro, në një parkim pranë një lokali në provincë. Operacioni u zhvillua nën mbikëqyrjen e Njësisë Mobile dhe Policisë Shkencore, të cilët dokumentuan gjithë ngjarjen.
Shqiptari u arrestua menjëherë pasi mori paratë dhe u dërgua në burgun e Ragusës, ku ndodhet në dispozicion të Prokurorisë.