Momente paniku janë regjistruar këtë të mërkurën në mëngjes në aeroportin Malpensa në Milano, kur një person i vuri flakën një koshi plehrash pranë zonës së check-in në Terminalin 1, afër portës 13.
Mediat italiane raportojnë se flakët u përhapën menjëherë, duke mbushur zonën me tym, ndërsa pasagjerët u larguan me nxitim. Pamjet e shpërndara në rrjete sociale tregojnë skenat e kaosit.
Autori i ngjarjes u neutralizua menjëherë nga policia kufitare dhe forcat e sigurisë së aeroportit. Bëhet fjalë për një shtetas nga Mali, me dokumente të rregullta dhe pa precedentë penalë, i cili sipas mediave italiane pritet të akuzohet për dëmtim prone.
Zjarrfikësit evakuuan menjëherë zonën, ndërsa pas ndërhyrjes situata u vu nën kontroll dhe aktiviteti i aeroportit rifilloi normalisht.