Kreu i PD-së, Sali Berisha ka reaguar pas kërcënimeve me jetë të botuesit të News24 dhe Panorama Group. Berisha e cilëson si “akt të mirëfilltë terrorizmi shtetëror”.
Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama dhe ministren Belinda Balluku si përgjegjës për një “operacion tipik stalinist”, duke thene se institucione shtetërore, me praninë e policisë dhe ushtrisë, pushtuan zyrat dhe ndërtesat e Fokus Media Grup, si dhe sekuestruan pajisje pune të gazetarëve.
Sipas tij, arsyeja kryesore e këtij veprimi është ndalimi i publikimit të “dosjeve të rënda korruptive”, që sipas Berishës përfshijnë emra të lartë të politikës dhe lidhje me kartelet e drogës.
“Ky akt tipik terrorist shtetëror vjen pasi dyshja famëkeqe urdhëroi të plaçkiten kompjuterët, laptopët dhe desktopët e gazetarëve për shkak të dosjeve të mëdha të korrupsionit dhe lidhjeve me kartelet e drogës të Ramës, Lulushit dhe familjarëve më të afërt të tyre. Në të vërtetë, shkaku kryesor i pushtimit të ndërtesave të Fokus Media Grup dhe grabitjes mbrëmë të mjeteve personale të punës së gazetarëve janë pikërisht dosjet e tmerrshme të dy krerëve të organizatës kriminale, të cilat do të publikoheshin në shtator”, shkruan Sali Berisha.
Reagimi i Sali Berishës
Një akt terrorizmi shtetëror
Të dashur miq,
Në një akt të mirëfilltë terrorizmi shtetëror janë kërcënuar me jetë pronari dhe botuesi i Fokus Media Grup dhe familjarët e tij.
Ky akt terrorizmi shtetëror vjen pasi kompani shtetërore, të lidhura kokë e xhep direkt me dyshen famëkeqe Rama–Balluku, i pushtuan me polici dhe ushtri, në një operacion tipik stalinist, zyrat dhe ndërtesat e Fokus Media Grup.
Ky akt tipik terrorist shtetëror vjen pasi dyshja famëkeqe urdhëroi të plaçkiten kompjuterët, laptopët dhe desktopët e gazetarëve për shkak të dosjeve të mëdha të korrupsionit dhe lidhjeve me kartelet e drogës të Ramës, Lulushit dhe familjarëve më të afërt të tyre. Në të vërtetë, shkaku kryesor i pushtimit të ndërtesave të Fokus Media Grup dhe grabitjes mbrëmë të mjeteve personale të punës së gazetarëve janë pikërisht dosjet e tmerrshme të dy krerëve të organizatës kriminale, të cilat do të publikoheshin në shtator.
Kërcënimi me jetë i pronarit dhe botuesit të Fokus Media Grup, Irfan Hysenbelliu, dhe familjarëve të tij nga dyshja në krye të organizatës kriminale është një akt i mirëfilltë dhe tejet i rrezikshëm i terrorizmit shtetëror, pasi vjen pas deklaratës së Ramaduros në shpërthim urrejtjeje dhe hakmarrjeje primitive, kur tha: “Me të e kam personale.”
Rikujtoj këtu se janë zhdukur pa nam e nishan nga dora e zezë e shtetit persona për të cilët Ramaduro ka shpallur se “Me të e kam personale.”
Duke e dënuar me forcën më të madhe këtë akt terrorizmi shtetëror, paralajmëroj Ramaduron se për çdo përdorim të shtetit për akte terroriste ndaj pronarit dhe botuesit të Fokus Media Grup, Irfan Hysenbelliu, dhe familjarëve të tij, do të ndëshkohesh si hakmarrës i verbër dhe terrorist shtetëror.