Deputetja e PD, Albana Vokshi, e ka konsideruar uzurpimin e News24, si një akt shokues dhe të pabesë.
Sipas saj, ndalimi i gazetarëve për të hyrë në ambientet e medias përbën shkelje të rëndë të lirisë së shtypit.
Vokshi akuzoi kryeministrin Edi Rama për veprime antidemokratike dhe mashtruese ndaj qytetarëve. Ajo bëri me dije se PD ka njoftuar institucionet ndërkombëtare për këtë ngjarje alarmante.
“Kryeministri Edi Rama shquhet për pabesi. Shteti vjen në orën 6 të mëngjesit. Aksioni në orën 6 të mëngjesit është pabesi. Është shokues lajmi, që gazetarët të mund të mos futen tek ajo që është shtëpia e tyre e dytë për shumë vite me radhë. Ishte një lajm shokues. Ne si PD kemi dërguar letra në instanca ndërkombëtare për këtë që ndodhi me News24. Iu kemi dërguar letra reporterëve të Bashkimit Europian dhe gjitha grupimeve politike të djathta dhe të qendrës së djathtë. Nuk ka demokraci në Shqipëri, për sa kohë nuk ka fjalë të lirë.
Edi Rama është politikan i pabesë, iu tha që ndërtoni në Theth dhe menjëherë pas zgjedhjeve shkoi dhe ua shembi. Edi Rama gjithmonë ka mashtruar, me Ramën nuk ka integrim në Europë. Rama nuk e do Shqipërinë në BE sepse të jesh në BE ke ca kushte për të plotësuar. Unë ju përgëzoj për rikthimin e sinjalit të News24. Me këtë shkatërrim, Rama i ka dërguar sinjale çdo qytetari, që sot e ka radhën media, nesër e kanë radhën familjet tona. Në uzurpimin e News24 ka pasur shumë shkelje. Duhet të mbrohet gazetari dhe media”, tha Vokshi për News24.