Avokati Gylsen Zhllima reagoi ndaj veprimeve të fundit ndaj televizionit News24, duke i quajtur ato sulm brutale ndaj të drejtës së gazetarëve për të ushtruar detyrën.
Në emisionin “Koha per t’u zgjuar” ai tha se ky është një abuzim ku pushteti dhe shteti janë bërë një. Zhllima paralajmëroi se “do vijë një moment që pushteti abuzues do marrë ndëshkimin me votë”.
Gylsen Zhllima: U dhunua brutalisht e drejta e gazetarit të ushtrojë detyrën e tij. Shteti ka një vijimësi të palëkundur, kurse pushteti nuk qëndron përherë. Do vijë një moment, që pushteti abuzues do marrë ndëshkimin përmes votës. Goditja ndaj News24 është mesazh që partia dhe shteti janë bërë palë, por do vijë një moment, që shoqëria do të dojë që gjërat të ndryshojnë dhe të ketë demokraci. Ajo që ka ndodhur tek News24 është e qartë që është bërë për të goditur lirinë e fjalës. Nuk mundet policia të ushtrojë kontrolle në një pronë shtetërore apo private.
Në rastin e News24, keqpërdoret shteti nga pushteti. Për të marrë sendet personale, pronarët e sendeve duhet të marrin në telefon Ardi Veliun. Sesa i ligjshëm është ky veprim, nuk e di, por kështu mund të kthehen sendet. Kjo tregon se Përmbarimi ka rënë shumë poshtë. Përmbaruesi nuk mund të merrte gjithë atë polici e ushtri, e bën me mjete më normale. Çdo person që abuzon, do të vijë një ditë që ai abuzim do i kthehet keq.