Detaje të reja kanë dalë në dritë për ngjarjen e rëndë në zonën e Agios Panteleimonas në Athinë, ku një burrë u gjet i vrarë pas një episodi me të shtëna armësh.
Sipas mediave greke, viktima është 47-vjeçari shqiptar, i njohur me emrin Bashimi ose Artur Turabi.
Ai u gjet i shtrirë në tokë me plagë në kokë të shkaktuara nga armë zjarri.
Turabi ishte i njohur për autoritetet dhe kishte precedentë penalë. Në vitin 2022 ai ishte arrestuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, e cila kryente vjedhje ndaj pasagjerëve të transportit publik në Greqi.
Në vendngjarje shkuan forca të shumta policie dhe mjeku ligjor, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të këtij ekzekutimi.