Katërmbëdhjetë turistë nga Franca dhe Gjermania kanë shpëtuar mrekullisht në kanionin e Langaricës, në zonën e njohur si “Ura e Dashit”, pasi mbetën të bllokuar nga rritja e menjëhershme e nivelit të ujit për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme.
Pas sinjalizimit për ngjarjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë së Përmetit, në bashkëpunim me zjarrfikësit dhe autoritetet e zonave të mbrojtura, ndërhynë me shpejtësi dhe bënë të mundur shpëtimin e të gjithë turistëve.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë shprehur mirënjohje për ndihmën e dhënë në kohë dhe për përkushtimin e treguar nga autoritetet.
Policia e Gjirokastrës thekson angazhimin maksimal për sigurinë e qytetarëve dhe vizitorëve dhe u bën thirrje të gjithë atyre që përballen me rrezik, të kontaktojnë menjëherë në numrin falas 112.