Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e së hënës, më 18 gusht, në autostradën Egnatia në Greqi, ku tre shtetas shqiptarë humbën jetën dhe një tjetër mbeti rëndë i plagosur. Ngjarja u shënua pas një përplasjeje fatale mes një kamioni dhe dy automjeteve.
Sipas mediave greke, kamioni goditi fillimisht një automjet të ndalur përpara tij, duke shkaktuar një shpërthim të menjëhershëm në flakë. Brenda makinës ndodheshin katër shqiptarë, banues në Athinë: dy burra (59 dhe 61 vjeç) dhe dy gra (57 dhe 49 vjeçe). Tre prej tyre humbën jetën të përfshirë nga flakët, ndërsa gruaja 49-vjeçare arriti të dilte vetë nga makina dhe i mbijetoi tragjedisë.
Në automjetin tjetër udhëtonin katër shtetas grekë nga Athina: një 36-vjeçar, një grua 28-vjeçare dhe dy fëmijët e tyre të mitur, 4 dhe 5 vjeç. Ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe janë dërguar në spitalin e Komotinës me plagë të lehta.
Shoferi bullgar i kamionit është në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga përplasja u përfshi në zjarr edhe një sipërfaqe bujqësore pranë autostradës.