Pas tragjedisë së ndodhur në Maliq, ku një i mitur u vra nga një bashkëmoshatar, prindërit e Martin Canit, adoleshenti që u vra disa muaj më parë në Tiranë, kanë reaguar përmes një deklarate të fortë publike. Ata theksojnë se mbyllja e TikTok-ut nuk është zgjidhje, duke shprehur revoltën për mënyrën se si po adresohet dhuna mes të rinjve në Shqipëri.
“Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale. Ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjësia institucionale dhe nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve. Mbyllja e një aplikacioni nuk e ndryshon realitetin,”- thuhet në deklaratë.
Sipas familjes Cani, ky vendim është një pretekst politik, ndërsa realiteti i dhimbshëm i dhunës nuk ndryshohet me mbyllje aplikacionesh. Ata pyesin retorikisht nëse tani do të fajësohen platforma të tjera si Snapchat apo Instagram për krimet e radhës.
Në fund të reagimit të tyre, familja Cani u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të miturit të vrarë në Maliq, duke theksuar se vetëm drejtësia dhe masat e vërteta mund të ndalin tragjedi të tjera.
Deklarata për shtyp
Megjithë mbylljen e rrjetit social TikTok nga qeveria, një i mitur tjetër u vra nga një bashkëmoshatar në Maliq. Kjo tragjedi e re tregon qartë se mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje, por vetëm një pretekst politik. Kush e ka rradhën që të fajësohet tani për këtë krim të rëndë? Snapchat apo Instagram?
Ne kërkojmë që qeveria të ndërmarrë masa konkrete, jo thjesht reforma kozmetike për opinion publik. Kërkojmë veprime të dukshme dhe efektive për përmirësimin e sigurisë në shkolla, forcimin e bashkëpunimit me familjet, angazhimin e komunitetit dhe fuqizimin e sistemit shëndetësor. Vetëm me masa të tilla mund të parandalohen tragjedi të tjera dhe të shpëtohen jetë fëmijësh.
Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale. Ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjësia institucionale dhe nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve. Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe nuk zgjidh problemet.
Në këtë moment dhimbjeje të madhe, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për nënën dhe familjen e të miturit të vrarë në Maliq. E dimë se çfarë do të thotë të humbasësh dritën e jetës, dhe ndajmë me ta dhimbjen e pamasë. Zëri ynë bashkohet me të tyren në thirrjen për drejtësi dhe për masa të vërteta, që asnjë nënë tjetër të mos derdhë lot për fëmijën e saj.
Familja Cani