Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin zyrtar për situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit, ku raportohet se janë regjistruar gjithsej 34 vatra zjarri në territorin e vendit:
• 27 janë shuar
• 5 mbeten aktive
• 2 mbahen në monitorim
Forcat në terren:
• 690 forca operacionale
• 54 automjete zjarrfikëse
• 110 trupa të Forcave të Armatosura me 2 mjete zjarrfikëse
• 2 helikopterë të Forcës Ajrore Shqiptare
• 1 helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe
Zonat më problematike:
Bulqizë (Tërnovë, Zerqan):
Zjarri në kurorën me pyje vijon aktiv në “Majën e Shkëmbit” dhe drejt fshatrave Valikardhë dhe Peladhi. Forcat e ushtrisë dhe helikopteri i FA janë përfshirë në operacion.
Fushë Arrëz (Xeth):
Zjarri u përhap në fshatrat Kulumri, Trun, Kunorë-Dardhë. U ndërhy nga ajri me 2 helikopterë. Situata aktualisht është nën kontroll.
Tiranë (Pezë Helmës):
Zjarri i nisur në Damjan-Fortuzaj u përhap me intensitet të lartë. Ndërhyrja nga ajri me helikopterin e Emirateve ndihmoi në përmirësimin e situatës, që tani mbahet në monitorim.
Gramsh (Kullollas, Kodovjat, Ermenj):
Zjarri në Malin e Koshnicës vazhdon të mbikqyret. Ka patur riaktivizime në fshatin Bletëz dhe Kullollas, por janë neutralizuar.
Gramsh (Teqeja e Dushkut):
Vatra ende aktive, e vështirë për t’u shuar për shkak të shtresave të thella të humusit. Sot raportohet drejt izolimit.
Mirditë (Rreja e Zezë):
Zjarri i datës 14 gusht u izolua falë angazhimit të zjarrfikësve, policisë dhe vullnetarëve. Momentalisht mbahet në monitorim.
Parku Natyror i Gërmenjit (Kolonjë):
Zjarri midis piramidave 13 dhe 15 mbetet aktiv në disa vatra. Operacioni u pengua nga shpërthime të municioneve të vjetra. Nuk raportohet përhapje apo riaktivizim sot.
Vatrat e shuara:
• Val (Bulqizë)
• Kodër Qerre (Mat)
• Xeth (Fushë Arrëz)
• Disa zona në Dajt, Petrelë, Zall Herr
• Vilë-Ballaj (Rrogozhinë)
• Kalanjas (Skrapar)
Forcat e emergjencës mbeten të angazhuara në terren për të përballuar çdo riaktivizim. Situata konsiderohet e menaxhueshme, por me rrezik të lartë për shkak të temperaturave dhe erës.