Policia e Shkodrës ka finalizuar një tjetër goditje ndaj kultivimit të bimëve narkotike në kuadër të operacionit “Koordinata”, duke asgjësuar mijëra rrënjë kanabis dhe duke ndaluar disa persona të përfshirë në veprimtarinë kriminale.
Në Njësinë Administrative Kelmend, u arrestuan në flagrancë A. R., 35 vjeç, dhe K. R., 42 vjeç, të afërm me njëri-tjetrin, pasi kishin kultivuar 7 parcela me gjithsej 1299 bimë dhe 1000 fidanë kanabis. Gjatë kontrollit pranë banesës së K. R. u zbulua edhe një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Ndërkohë, në njësitë Gur i Zi dhe Postribë, policia gjeti dhe asgjësoi 2713 bimë, ndërsa në Shllak u asgjësuan 2592 bimë narkotike.
Përveç arrestimeve, tre kryetarë fshatrash janë proceduar penalisht për “shpërdorim të detyrës”, pasi dyshohet se nuk kanë raportuar apo kanë lejuar në heshtje aktivitetin e paligjshëm në zonat përkatëse:
• F. L., kryetar i fshatit Vilz
• R. M., kryetar i fshatit Ura e Shtrenjtë
• R. B., kryetar i fshatit Domen
Policia bën me dije se kontrollet intensive në terren vijojnë, ndërsa puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë është në proces.