Një imazh që u përhap me shpejtësi në mediat greke dhe rrjetet sociale e shndërroi Olsien Muçobegën, një punëtor shqiptar 33-vjeçar, në simbol të humanizmit në Greqi. Ai u fotografua duke mbajtur në krahë një dele, teksa e shpëtonte nga zjarret shkatërruese në Patras, duke udhëtuar me motoçikletë mes flakëve dhe tymit.
Pamja u bë , por siç rrëfen vetë Olsieni, akti i tij nuk u ndal vetëm me aq. Ai ndihmoi edhe shumë kafshë të tjera, përfshirë qen që ishin lënë të lidhur nga të zotët e tyre.
“A e dini sa kafshë shpëtuam? Dhe qen, shumë qen të lidhur. Po çmendem me atë që bëjnë njerëzit, ata ikin dhe i lënë qentë të lidhur. Kjo nuk është neglizhencë, është krim”, u shpreh ai i revoltuar.
Olsieni, me origjinë nga Tepelena, ka emigruar në Greqi në moshën 3-vjeçare. Ka punuar në ndërtim, në fastfood, si piktor dhe shpërndarës. Aktualisht është i martuar me greken Maria-Eleni dhe kanë dy fëmijë: Georgianna dhe Jasona. Edhe pse ka dekada në Greqi, ende nuk ka marrë nënshtetësi, gjë që e përjeton si padrejtësi.
“Normalisht duhet të kisha marrë një pasaportë greke”, thotë me hidhërim.
Në ditën e zjarrit, ai ishte në zonën e prekur së bashku me miq nga shoqata AEK, për të ndihmuar zjarrfikësit dhe banorët lokalë. Ai theksoi se gjithçka që shpëtuan i përkiste një fermeri të moshuar, që po përpiqej të shpëtonte vetë fermën e tij.
Edhe pse për shumëkënd është kthyer në një hero, Olsieni nuk e sheh veten si të tillë.
“Unë bëra vetëm atë që duhet të bënte çdo njeri — qëndrova pranë gjithçkaje që ishte e gjallë.”