Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias kërkon që mosmarrëveshjet pronësore të mos çojnë në ndalimin e mediave.
Zyra e OSBE-së për Lirinë e Medias reagoi këtë të premte ndaj ndërprerjes së papritur të punës së Focus Media Group në Shqipëri, duke e cilësuar situatën shqetësuese dhe duke theksuar se mosmarrëveshjet pronësore apo tregtare nuk duhet të çojnë në ndalimin e menjëhershëm të transmetimit të mediave.
“Situata që rrethon ndërprerjen e papritur të operacioneve të Focus Media Group në Shqipëri është shqetësuese. Mosmarrëveshjet mbi pronën dhe biznesin nuk duhet të çojnë në ndalimin e menjëhershëm të transmetimit të mediave,” u shpreh Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Jan Braathu.
Reagimi vjen pas ngjarjeve të 9 gushtit, kur policia dhe ushtria rrethuan godinën e Focus Media Group në Tiranë – ku operojnë News24, BalkanWeb, Panorama TV, “Panorama” dhe “Gazeta Shqiptare” – ndërprenë furnizimin me energji elektrike dhe penguan hyrjen e gazetarëve dhe stafit në ambientet e punës.
Dy ditë më parë, edhe Zyra e Bashkimit Europian në Tiranë shprehu shqetësim për situatën, duke theksuar se çdo veprim duhet të ndjekë procedurat ligjore dhe të mos cenojë lirinë e gazetarëve.
“Është e rëndësishme që çdo veprim i ndërmarrë të mos cenojë mundësinë e gazetarëve për të ushtruar lirinë e tyre në përcjelljen e informacionit dhe për të ruajtur konfidencialitetin e burimeve të tyre,” u tha në deklaratë, duke kujtuar se liria dhe pluralizmi i medias janë kritike për garantimin e shtetit të së drejtës. BE-ja bëri të ditur se po ndjek nga afër zhvillimet dhe kërkoi një zgjidhje ligjore për çështjen.
Autoritetet e kanë lidhur ndërhyrjen me një mosmarrëveshje pronësie midis Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Focus Media Group për kontratat e qirasë në ish-Uzinën e Autotraktorëve në Shkozë. Sipas MEKI-t, një prej kontratave është ndërprerë që nga viti 2022 pas humbjes së proceseve gjyqësore nga kompania, ndërsa për godinën ku ndodhej redaksia aktuale pretendohet se ka detyrime të papaguara për qiranë.
Pas bllokimit, më 12 gusht Gjykata e Tiranës urdhëroi autoritetet të kthenin materialet e marra nga ambientet e Focus Media Group dhe i cilësoi masat e marra si joproporcionale.
“Në këtë drejtim, gjykata e konsideron ndërhyrjen dhe kufizimin e gazetarëve dhe të drejtave të tyre jo në proporcion me gjendjen që shkaktoi këtë kufizim dhe nevojën për të ndërhyrë,” thuhet në vendim.
Ngjarja ka nxitur reagime të shumta nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare për lirinë e medias, të cilat kanë kërkuar rivendosjen e menjëhershme të transmetimit dhe respektimin e pavarësisë editoriale të mediave./BIRN