Deputeti i PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë për Lirinë e Medias në OSBE, duke e cilësuar atë si një “këmbanë alarmi” për autoritetet shqiptare.
Bardhi akuzon qeverinë se ka kryer veprime arbitrare duke ndërprerë transmetimin e televizionit News24 dhe duke bllokuar gazetarët për të hyrë në ambientet e punës, madje edhe pas një vendimi gjyqësor.
“Ky është shpërdorim i pastër i detyrës dhe një shkelje flagrante e Kushtetutës së Shqipërisë. Apeloj institucionet e drejtësisë të vendosin përpara përgjegjësisë urdhëruesit dhe ekzekutorët e këtij krimi shtetëror, të denjë vetëm për regjimet autoritare”, tha Bardhi.
Sipas tij, liria e medias është thelbësore për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe me “asgjësimin” e saj, kryeministri Edi Rama ka “varrosur demokracinë në vend”.
Shqetësimi i Përfaqësuesit të Lartë për Lirinë e Medias në OSBE, institucioni me reputacionin më të lartë në mbrojtjen e lirisë së medias në botë, është një këmbanë alarmi për autoritetet shqiptare. Veprimet arbitrare të ndërprerjes së transmetimit të News24 apo bllokimi i gazetarëve për të hyrë në ambientet e tyre të punës, edhe pas një vendimi gjyqësor, është shpërdorim i pastër i detyrës dhe një shkelje flagrante e Kushtetutës së Shqipërisë.
Apeloj edhe njëherë institucionet përgjegjëse të drejtësisë të vendosin përpara përgjegjësisë ligjore urdhëruesit dhe ekzekutorët e këtij krimi të shumëfishtë shtetëror, të denjë vetëm për regjimet autoritare. Liria e medias është jetike për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Përmes asgjesimit të saj dhe lirisë së qytetarëve për të zgjedhur, Edi Rama praktikisht ka varrosur demokracinë në vend.