Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur sot në ambientet e SPAK, në kuadër të zbatimit të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Masa ndaj saj është vendosur pasi Xoxa është marrë zyrtarisht e pandehur, bashkë me bashkëshortin e saj, në një çështje të rëndë që përfshin akuza për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje të sendeve të paligjshme.
Veliaj ndodhet në burg që prej 10 shkurtit, ndërsa SPAK dyshon se çifti është pjesë e një skeme të gjerë pastrimi parash, ku përfshihen 30 persona të tjerë, sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala. Në këtë listë janë përfshirë përfaqësues të bizneseve, OJF-ve, figura publike dhe persona të afërt të Xoxës.
Sipas të njëjtave burime, deputetja Klotilda Bushka është gjithashtu nën hetim, pasi dyshohet se ka intimiduar dëshmitarët, konkretisht Ina Goxhaj, për të mos dëshmuar në lidhje me çiftin Veliaj-Xoxa.
“Dosja përmban rreth 60 mijë faqe dokumentacion dhe pritet t’i dorëzohet Gjykatës së Posaçme (GJKKO) brenda datës 24 shtator 2025, çka do të hapë rrugën për kalimin e çështjes në fazën e gjykimit,” raportoi Lala.
Nga ana e tij, Erion Veliaj ka mohuar të gjitha akuzat, duke i konsideruar hetimet si të motivuara politikisht.
#AjolaXoxa #ErionVeliaj #SPAK #GJKKO #Korrupsion #PastrimiParave #FshehjePasurie #GjykimPenal #SkemëKriminale #LajmeTiranë #Bushka #InaGoxhaj #KlodianaLala #PolitikëShqiptare #Drejtësia