Është zbardhur dinamika e ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e kaluar në fshatin Pirg të Maliqit, ku një 14-vjeçar humbi jetën pas një konflikti me bashkëmoshatarin e tij në ambientet e një lokali.
Policia njoftoi arrestimin e 8 personave, përfshirë autorin e dyshuar të krimit – një 14-vjeçar nga fshati Leminot – i cili pas ngjarjes tentoi të largohej me automjet. Bashkë me të, janë vënë në pranga edhe babai dhe xhaxhai i tij, pasi dyshohet se fshehën mjetin prerës (thikën) që u përdor për vrasjen.
Gjithashtu janë arrestuar 4 të mitur që ndodheshin në vendngjarje dhe, sipas Policisë, tentuan të pengojnë zbardhjen e së vërtetës përmes deklarimeve të rreme. Një tjetër i arrestuar është shtetasi F. Ç., 34 vjeç, që ndodhej në konflikt dhe tentoi të largohej bashkë me autorin në të njëjtin automjet.
Policia ka sekuestruar thikën e përdorur në krim, automjetin me të cilin u tentua largimi, si dhe 5 celularë.
Sipas të dhënave zyrtare:
• Autori i dyshuar, E. G., 14 vjeç, akuzohet për “Vrasje me dashje” dhe “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”. Ai u dëmtua lehtë gjatë përplasjes dhe pasi mori trajtim mjekësor, u largua nga spitali ditën e djeshme.
• Babai dhe xhaxhai i tij, të dy 44 vjeç, janë arrestuar për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
• Katër të mitur nga fshati Zvirinë dhe shtetasi F. Ç., 34 vjeç, ndodhen gjithashtu në pranga për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë e Korçës për veprime të mëtejshme.